Rruga e florinjtë Kombinat Plepa që do të përfundonte sipas premtimeve elektorale të Edi Ramës në maj të 2026 do të marrë sërish para. Qeveria ka hapur një tjetër tender për rikonstruksionin e këtij aksi dhe kontrata shtrese kap vlerën e 113.4 milionë lekë të rinj. Ndërkohë që aksi prej 4.5 km kushton 8 milionë euro
Syri tv
Qeveria ka vendosur të shtojë 1.2 milionë euro për përfundimin e fazës së parë të rrugës Kombinat-Plepa, duke e rritur vlerën e këtij aksi në një total prej më shumë se 8 milionë euro.
Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, kryeministri Edi Rama dhe zëvendësja e tij, tashmë e shkarkuar, Belinda Balluku, premtuar se aksi prej 4.5 kilometrash, i gjithi në terren fushor, do të përfundonte në maj 2026.
Por, premtimet elektorale të Ramës, si përherë nuk realizohen. Dhe, në rastin konkret, rruga jo vetëm që nuk mund të përfundohet në afatin elektoral, por, përkundrazi, kërkon edhe fonde shtesë.
Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi së fundmi se ka vendosur të shpallë një procedurë të re prokurimi, me titullin: “Modifikim kontrate me vlerë shtesë, për rikonstruksionin e rrugës së vjetër Kombinat-Plepa, faza e parë”.
Sipas njoftimit të ARRSH-së, vlera shtesë e kontratës është 113.4 milionë lekë të reja.
Tenderi fillestar për rikonstruksionin e këtij aksi rrugor është mbyllur në maj të vitit 2024 dhe fondi limit i tij ishte në shumën 755 milionë lekë të reja ose rreth 7.4 milionë euro.
Aksi i plotë rrugor nga Kombinati, lagje perëndimore e Tiranës deri në zonën e Plepave në Durrës është rreth 28 kilometra i gjatë. Qeveria shqiptare ka vendosur ta rehabilitojë këtë aks, si një alternativë për të shmangur disi trafikun që krijohet në autostradën Tiranë-Durrës.
Kryeministri Rama deklaroi në qershor të vitit të kaluar se punimet në rrugën Kombinat-Plepa kanë ecur me ritme të kënaqshme, duke shtuar se janë përfunduar 38 përqind e punimeve.
Kjo deklaratë e Ramës është tërësisht jashtë realitetit. Sipas llogaritjeve të tij, nga ky aks rrugor duhet të ishte rehabilituar rreth 12-13 kilometra. Ndërkohë që, në realitet, Autoritetit Rrugor Shqiptar, deri më sot, nuk ka mundur të mbyll as 5 kilometrat e para.
© SYRI.net