Gjatë fjalës së tij, në Mbledhjen e Komisionit parlamentar deputeti i PD Klevis Balliu deklaroi se emri i tij është lakuar në sallën e parlamentit që kur ishte 14 vjeç, ndërsa ai i motrës së tij kur ajo ishte 17. Sipas tij, kjo është një praktikë e vazhdueshme dhe sistematike nga eksponentë të mazhorancës, ku çdo të enjte përmendet emri i njërit prej familjarëve të tij.
Ai e quajti situatën hipokrizi, duke përmendur se ndërkohë që flitet për etikë, ekzistojnë të paktën tetë shkrime denigruese ndaj koleges së tij, Albana Vokshi, në portale për të cilat “dihet fare mirë se nga vijnë udhëzimet”.
Duke denoncuar përdorimin e gjuhës së urrejtjes, ai propozoi hartimin e një ligji për të ndëshkuar këto praktika jo vetëm në parlament, por edhe në media, të cilat, janë të financuara. Pavarësisht sulmeve të vazhdueshme, deputeti theksoi se nuk është ankuar kurrë dhe nuk ka ndërmend ta bëjë.
Deklarata e plotë:
"Meqenëse dhe kolegu deputet dhe më përmendi në lidhje me ditën e djeshme, dua t'i sqaroj të gjithë kolegët këtu. Emri im në atë sallë për herë të parë është përmendur kur unë kam qenë 14 vjeç. Emri i motrës time në atë sallë është përmendur kur unë kam, kur ajo ka qenë 17 vjeç.
Dhe në mënyrë sistematike, që kur kanë hyrë një pjesë e mirë e atyre që sot janë lidera në partinë tuaj, nga Taulanti e shumë të tjerë, çdo ditë të enjte në atë sallë përmendet emri i një nga familjarëve të mi.
Kurrë nuk kam përmendur familjarin e askujt, në qoftë se nuk ka qenë në lidhje me një tender apo me një projekt korruptiv që unë e kam parë si të tillë që, për hir të së vërtetës, nga ato avionët me drogë në Divjakë e deri te këto të sotshmet, na kanë dalur të gjitha akuzat tona.
Përsa i përket situatës që ndodhi dje, unë mendoj që ne bëhemi pak dhe po them ne, bëhemi pak hipokritë, se aktualisht që ne flasim, janë rreth tetë shkrime kundër zonjës Albana Vokshi në format më denigruese, që janë në portale të cilat ne i dimë fare mirë se nga vijnë udhëzimet. Ne i dimë se, fare mirë se nga vijnë udhëzimet.
Pra në qoftë se duam të bëjmë një gjë, bëjeni ligj. Sepse fjalën që thonë kolegët që nuk jua bën zemra ta përmendin dhe edukata, e ka përmendur kryetari, kur thoshte s'ka bir nëne e bir pika pika.
Pra, në këtë aspekt, në qoftë se duam të jemi serioz, dhe unë mendoj që është një çështje për t'u trajtuar seriozisht dhe unë bie plotësisht dakord me shumë gjëra që u thanë këtu, nga të gjithë kolegët, por mos të pranojmë, minimalja do të kërkoja, që mos të themi që kërkoj ndjesë. Se të thuash që 0900-a është numri i Europës, kjo është të tallesh dhe ju si ministër, ish-ministër e dini fare mirë që s'është ai numri.
Unë e mora atë numrin e telefonit dhe nuk më doli Europa. Më doli dikush tjetër. Prandaj po ju them që të jemi serioz. Ta bëjmë ligj, të dënohet ai që i përdor këto fjalë, jo vetëm në parlament, po edhe nëpër këto media, se janë të financuara, ne i dimë, se jemi pjesë e kësaj politike, ne i dimë si bëhen shkrimet. Dhe ne i dimë cilat media janë kush.
Por jam nga ata të cilët shkrimin e parë kundër dhe emrin e parë në parlament ka qenë kur kam qenë 14 vjeç. Dhe vazhdon sot e kësaj dite me familjarët e mi. Janë shumë pak deputetët e Partisë Socialiste që s'kanë përmendur një familjar timin. Por kurrë nuk jam ankuar. Kurrë nuk jam ankuar dhe s'kam plan të ankohem. Mund ta vazhdojnë.
Këtë kisha unë për këtë proces. Tani mund të vazhdoj me pjesën e projektligjit? Faleminderit".
© SYRI.net