Nga Alba Kepi
Mes një emigranti i dëbuar nga Italia për drogë e një tjetri për dhunë seksuale, ky i fundit ka përparësi për t'u dërguar në Gjadër. Ku janë feministet që nuk ankohen pse kthehen nga Gjadri emigrantët e dëbuar për dhunë selsuale? Ku janë feministet pyet Giorgia Meloni mes polemikave për emigracionin dhe drejtësinë
Mes punonjësve të administratës, nga ministritë, prefekturat dhe qendrat e riatdhesimit (CPR) që vendosin se kush, kur dhe sa emigrantë duhet të transferohen në Shqipëri, duket se zbatohet një logjikë e veçantë për përparësinë. Në praktikë, nëse përballen dy raste: një emigrant me urdhër riatdhesimi për trafik droge dhe një tjetër i dënuar për dhunë seksuale, është ky i fundit që merr përparësinë për t’u larguar nga Italia drejt qendrës së Gjader CPR.
Po, sepse sot Gjadri duket sikur nuk është më i shqiptarëve, por është bërë një zgjatim i politikës italiane të menaxhimit të emigracionit. Pikërisht nga Italia, sot kryeministrja Giorgia Meloni ka ngritur një pyetje që po shkakton debat të gjerë publik: “Ku janë feministet?”
Duke folur në mikrofonat e radio RTL 102.5, Meloni u ndal te dosja e emigracionit dhe kritikoi disa vendime të gjyqësorit që, sipas saj, po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë dëbimin e emigrantëve të paligjshëm edhe kur ata kanë precedentë të rëndë penalë.
Ajo përmendi edhe rastin e shtetasit maroken Fathalla Ouardi, 39 vjeç, i akuzuar për disa vepra penale, përfshirë shpërndarje droge, rezistencë ndaj forcave të rendit dhe dhunë seksuale në bashkëpunim dhe në grup. Ai ishte dërguar më 17 shkurt nga qendra e Palazzo San Gervasio detention center drejt qendrës së Gjaderit për t’u riatdhesuar, por u “shpëtua” nga vendimi i Corte d’Appello di Roma pasi kishte paraqitur kërkesë për mbrojtje ndërkombëtare.
“Një person që ka hyrë ilegalisht në Itali, ka shpërndarë drogë dhe ka marrë pjesë në një përdhunim në grup – ne nuk mund ta mbajmë të ndaluar, nuk mund ta dërgojmë në Shqipëri dhe pothuajse është e pamundur ta riatdhesojmë”, deklaroi Meloni. Sipas saj, kjo situatë vë në pikëpyetje aftësinë e shtetit për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
Kryeministrja përmendi edhe një rast tjetër në Firenze, ku një grua u përdhunua nga dy emigrantë. Sipas saj, vendime të tilla gjyqësore krijojnë një ndjenjë absurditeti dhe dëmtojnë besimin e qytetarëve tek sistemi i drejtësisë.
Në këtë kontekst, ajo drejtoi kritika edhe ndaj lëvizjeve feministe, veçanërisht ndaj Non Una Di Meno, duke pyetur pse, sipas saj, nuk ka reagime të forta për raste të tilla.
Megjithatë, Meloni theksoi se qeveria do të vazhdojë përpara me projektin e qendrave për emigrantët në Shqipëri, pavarësisht kundërshtimeve dhe pengesave ligjore. “Jam e vendosur të bëj atë që qytetarët na kanë kërkuar: një politikë të fortë kundër emigracionit të parregullt, edhe me instrumente të reja si qendrat në Shqipëri”, u shpreh ajo.
© SYRI.net