Bardhi: Ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit u miratuan për një orë, u shkelën të drejtat e deputetëve e qytetarëve

10:59, 10/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gjykata Kushtetuese po mban seancën për shqyrtimin e kërkesës së PD-së, e cila kërkon shfuqizimin e ndryshimeve të njëanshme të Rregullores së Kuvendit.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi theksoi se i gjithë procesi ligjvënës i zhvilluar në Kuvendin e Shqipërisë ka ndodhur për vetëm një orë, duke anuluar çdo mundësi për deputetët e opozitës të ushtronin të drejtën e tyre për të paraqitur amendamente.

Sipas tij, ky proces i shpejtuar dhe i paqartë ka shkelur rëndë Kushtetutën dhe të drejtat themelore të deputetëve, duke e kthyer legjislacionin në një akt formalisht të miratuar, por pa përmbajtje demokratike.

Kërkesa e PD-së është e qartë: rregullorja që u miratua pa mundësi amendimi, pa debat dhe në shkelje të afateve ligjore, duhet të shfuqizohet dhe procesi duhet të rivlerësohet sipas parimeve të Kushtetutës.

Pjesë nga deklarata:

I nderuar, procesi ligjvënës është një kapitull i posaçëm në Kushtetutë, jo thjesht për të orientuar procedurën se si miratohen ligjet, por sepse lidhet me disa të drejta, qoftë të funksionarit kushtetues në rastin konkret, deputetit, po ashtu edhe të qytetarëve. Jo më kot, Kushtetuta lejon shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të një akti, por gjithmonë jo më parë se një javë nga fillimi i shqyrtimit. Deputetët duhet të njihen me çfarë po votojnë. Së dyti, deputetët kanë të drejtë, sipas nenit 81 të Kushtetutës, të ndërmarrin iniciativë ligjvënëse. Dhe iniciativa ligjvënëse përfshin qoftë propozimin e një akti të ri në Kuvend, qoftë propozimin e amendamenteve për një projektakt që është dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë.

I gjithë procesi parlamentar, procesi ligjvënës parlamentar, ka ndodhur për një orë pra nga momenti i miratimit të kërkesës për procedurë të përshpejtuar nga kërkuesit, që i referohen nenit 83, pika 2, në kërkesën që kanë paraqitur 1/5 e deputetëve, nga ndërprerja e seancës plenare, nga mbledhja e Këshillit të Rregullores së Mandateve, nga votimi në parim, nen për nen dhe në tërësi i gjithë procesi ka ndodhur për një orë. Dhe asnjë prej deputetëve të pakicës nuk ka pasur mundësi të ushtrojë të drejtën e vet për të paraqitur amendamente.

Sipas rregullave parlamentare, Rregullores së Kuvendit, që një amendament pra që unë të ushtroj iniciativën time ligjvënëse, të drejtën që ma njeh Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë amendamenti duhet të regjistrohet në sekretarinë e Kuvendit 24 orë përpara fillimit të seancës. Pra, unë nuk kam pasur mundësi, edhe pse sot që flasim, rregullorja që është në fuqi, ju cituat kompetencat e secilit komision. Unë jam deputet, unë nuk e di kush e ka monitorimin si kompetencë. Sot që flasim, institucionet e pavarura raportojnë në dy komisione, sepse rregullorja është e paqartë dhe nëse lexoni procesverbalet, ne e kemi ngritur që ka nevojë për rregullime, ka nevojë për amendamente dhe na është thënë: "Jo, nuk kemi kohë dhe e miratojmë për një orë." Sot rregullorja ka dispozita që bien, kontrollin post-legjislativ, sipas nenit 19, që ju lexuat, i nderuar zoti relator, e ka Komisioni i Nismave Qytetare. Po të hapësh nenin 103, pika 3, më falni, 103, fraksion 3 të rregullores, e ka komisioni për Europën dhe punët e jashtme. Dhe e gjithë kjo ka ardhur nga pamundësia e deputetëve për të ndërhyrë përmes amendamenteve dhe për të ushtruar iniciativën e tyre ligjvënese.

Së dyti, afati lidhet me të drejtën e qytetarëve për informim. Jo më kot Kushtetuta thotë se mbledhjet e Kuvendit bëhen të hapura. Dhe bëhen të hapura sepse ne deputetët kemi për detyrë të informojmë qytetarët për çfarë po votojmë dhe t'i japim llogari për atë që po votojmë. Nëse një deputet nuk ka mundësi të njihet vetë me ndryshimet që po votohen në seancë, si ja garantojmë ne të drejtën për informim, sanksionuar në nenin 23 të Kushtetutës, qytetarëve? Kanë të drejtë të marrin pjesë, të ndjekin, thotë Kushtetuta, paragrafi tre i nenit 23 të Kushtetutës, "kushdo ka të drejtë, kujtdo i jepet mundësia të ndjekë mbledhjet e organeve të zgjedhura në mënyrë kolektive." Pra, në rastin konkret Kuvendit, sepse punimet e Kuvendit janë të hapura. Dhe kjo bëhet që ne të japim llogari për çfarë po miratojmë. 

Dua të bëj të qartë që pjesëmarrja jonë e opozitës në komisionet parlamentare është detyrim kushtetues, të nderuar anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Ne jemi betuar në Kushtetutë për respektimin e Kushtetutës dhe të ligjit. Dhe sa kohë kjo rregullore dhe ky ndryshim nuk është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese, ky për ne është ligj. Dhe ne jemi të detyruar të zbatojmë ligjin dhe të marrim pjesë në komisione. Por kjo nuk nënkupton që ne pranojmë antikushtetutshmërinë me të cilën kjo rregullore është miratuar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco