´Ka vlerë vetëm tingulli i zarfit mbi tavolinë´, Vejseli: Gjyqësori në RMV, i kriminalizuar!

10:02, 10/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gazetarja Liridona Saliu nga Maqedonia e Veriut është dënuar për shkak të punës së saj, pasi raportoi një vendim skandaloz të gjykatës që përfshinte një të mitur.

E ftuar në emisionin ´Kafe Shqeto´ në Syri Tv, përmes një rrëfimi, Liridona Vejseli zbulon kalvarin e përndjekjes gjyqësore dhe presionin me të cilin përballet, duke e cilësuar sistemin e drejtësisë si të “kriminalizuar”, ku tentativat për të raportuar të vërtetën ndëshkohen.

Problemet për gazetaren filluan kur nisi të raportonte për parregullsi në sistemin gjyqësor, duke kulmuar me rastin e gjyqtarit Nazif Iflazi. Sipas raportimit, gjyqtari në fjalë i dha një dënim prej vetëm tre muajsh burg një personi të akuzuar për tre vepra të rënda penale ndaj një të miture. Ishte pikërisht gazetarja Saliu ajo që e trajtoi e para rastin, pasi viktima iu drejtua asaj për ndihmë.

Vejseli thekson se ajo thjesht ka raportuar faktet, pa dhënë komente personale mbi vendimin. “Unë vetëm e kam raportuar drejt situatën, me emër dhe mbiemër. Madje kam bërë krahasime me dënimet për vepra të ngjashme në shtetet fqinje,” shprehet ajo.

Duke folur për sistemin e drejtësisë në përgjithësi, gazetarja përdor fjalë të forta, duke e përshkruar si një mjedis ku “vetëm ka vlerë tingulli i zarfit mbi tavolinë”. Sipas saj, gjykatat dhe prokuroria janë aq të kriminalizuara, saqë ajo si gazetare ndihet e pafuqishme. “Me penalizime të tilla mundohen të na heshtin, gjë të cilën nuk do ta arrijnë asnjëherë,” përfundon ajo me vendosmëri.

Rasti i Liridona Vejselit ngre alarmin për lirinë e shtypit dhe pavarësinë e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, duke treguar se si gazetaria investigative që denoncon abuzimet e pushtetit mund të kthehet në një betejë të rrezikshme personale.

Problemet kanë filluar në momentin kur kemi hyrë në gjyqësor dhe kur kemi filluar të raportojmë për vendime të cilat ishin jashtëzakonisht të çuditshme, dhe problemet e shumta në atë gjykim. Pra, kemi raportuar për shumë raste në të cilat kanë qenë skandaloze.

Ishte e pabesueshme se bëhet fjalë për tre vepra të rënda penale ndaj një të miture, edhe kur e kemi raportuar, ndoshta për shkak të shikueshmërisë, nuk ka rëndësi se sa media e kanë publikuar, po ka rëndësi se me legjislacionin e Maqedonisë, nuk është e ndaluar përmendja e emrave të cilët kanë funksion publik.

Po, në fakt unë në asnjë moment nuk e kam komentuar vendimin gjyqësor, vetëm e kam treguar, e kam raportuar drejt se kjo situatë, me këtë emër dhe mbiemër, Nazif Iflazi, i ka dhënë tre muaj burg personit që i ka kryer këto vepra dhe kam bërë krahasime. Po, dhe kam bërë krahasime me shtetet fqinje se për vepra të tilla sa kanë marrë dënim. Nuk e di unë këtu në përgjithësi a do të shkojë vetë prokuroria e Tetovës, prokurori konkretisht i cili ka ngritur vepër kur nuk ka vepër.

Dua vetëm të ketë drejtësi edhe të mos penalizohen njerëz të tillë, veçanërisht kur bëhet fjalë për të mitur. Jam pjesë përbërëse gjithë kohës e sistemit të drejtësisë duke parë se si shumë gra, vajza, pa dashur ta bëj vetëm nga aspekti gjinor, por realisht këtu vetëm ka vlerë tingulli i zarfit mbi tavolinë. Është aq e kriminalizuar gjykata, prokuroria, sa që sinqerisht unë si gazetare ndihem jashtëzakonisht e pafuqishme , sepse mundohemi ta bëjmë punën tonë, po aq sa mundemi dhe me penalizime të tilla mundohen të na heshtin, të cilën nuk do ta arrijnë asnjëherë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco