Fenomeni i largimit masiv të shqiptarëve nga vendi vijon të jetë një plagë e hapur për shoqërinë shqiptare, ku shifrat alarmante tregojnë për një ‘hemorragji’ të pandalshme, veçanërisht të shtresës së arsimuar dhe profesionistëve.
Në një lidhje direkte nga Kanadaja, deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, zbuloi detaje tronditëse nga një takim me komunitetin shqiptar në Toronto, duke e cilësuar emigracionin e dekadës së fundit si një "goditje të madhe për kombin".
Sipas tij, në 10 vitet e fundit, plot 1.1 milionë shqiptarë janë larguar nga vendi, por më shqetësues është profili i atyre që ikin. “Problemi është që shtresa e mesme, ajo shtresë që do duhej të çonte para vendin, profesionistët e rinj, inxhinierët, mjekët, ekspertët e IT-së, ekonomistët, juristët e zotë, kanë ikur si kurrë më parë nga Shqipëria në këtë dekadë,” deklaroi ai.
Belind Këlliçi: Emigrimi që ka ndodhur në këtë dekadë është jashtëzakonisht një goditje e madhe që ka marrë kombi shqiptar, populli shqiptar. Në një dekadë plot 1.1 milionë shqiptarë kanë lënë Shqipërinë, kanë lënë vendin e tyre. Problemi është që shtresa e mesme, ajo shtresë që do të duhej të çonte para vendin, profesionistët e rinj, inxhinierët, mjekët, ekspertët e IT-së, llogaritarët, ekonomistët, juristët e zotë, kanë ikur si kurrë më parë nga Shqipëria në këtë dekadë.
Ajo çka konstatova në takimin e Kanadasë, është në fakt edhe mishërimi i asaj që ne shpesh kemi folur dhe është përmendur, që është e kundërta e asaj që ka bërë PD-ja kur ka qenë në qeverisje dhe e kundërta e programit Brain Gain që ka PD-ja, është ‘Brain Drain’, është rrjedhja e trurit. Unë kam zhvilluar një takim në Kanada, në Toronto, edhe pse në kushte tmerrësisht të vështira, po e them dhe një herë në temperaturë -25 gradë, salla është mbushur me rreth 160 shqiptarë, ku shquanin mes tyre dy raste ekzemplare, nuk po i përmend me emër, edhe pse njëri është figurë publike dhe tjetri është një ish-drejtues i Partisë Demokratike në Krujë, janë djem të rinj, janë brezi im, që kanë ardhur në një muaj e gjysëm të fundit. Pra kanë ardhur në javën e parë pothuaj, njëri në javën e fundit të dhjetorit, tjetri në javën e parë të janarit.
Këtu dua të ndalem. Pra, ajo çka po ndodh me Shqipërinë, është që ky fenomen jo vetëm që nuk po ndalet dhe unë po të jap rastin më të freskët të këtyre, po të them, të këtyre dy muajve të fundit, por problemi është që elita e brezit tim, elita e të rinjve, elita e të shkolluarve, elita e klasës së mesme, e shtresës së mesme, është duke emigruar dhe duke u larguar nga Shqipëria. Kam patur rastin dhe më ka ardhur keq, pra, mund të jem ndjerë mirë për momentin sepse kam takuar, në një restorant shqiptar që kam patur mundësinë të ulem ditën e djeshme në Toronto, kam takuar një vajzë të re shkodrane, zonjë në fakt, e cila kishte ardhur bashkë me dy fëmijët e vegjël dhe me bashkëshortin e saj, kishte emigruar në Toronto, ndërkohë punonte kamariere, krejt respekt, i jashtëzakonshëm për punën, e ndërkohë kishte lënë punën e saj si drejtoreshë juridike e një banke të nivelit të dytë në Tiranë, për shkak se nuk kishte më garanci dhe nuk kishte më siguri as për edukimin e fëmijëve të vegjël që kishte, as për shëndetësinë në Shqipëri.
Dhe mos harroni, po flasim për një vend që kryeministri ka ardhur në krye të pushtetit, në krye të detyrës, me premtimin shëndetësi falas. Dhe janë harxhuar qindra milionë euro me koncesione e sterilizimit, check-up-it, në shëndetësinë tonë që është e degraduar si asnjëherë më parë, ku mjafton të shihni pamjet e onkologjikut se çfarë ndodh me sistemin tonë shëndetësor. Pra, thënë këtë, hemorragjia e kësaj shtrese dhe hemorragjia e emigrimit të popullatës shqiptare nuk po njeh ndalesë.
© SYRI.net