Prokuroria e Specializuar në Hagë po kërkon dënime të ashpra për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u përballur me akuza për njëanshmëri dhe ndikim politik, ndërsa Ismail Tasholli paralajmëron rrezikun e rishkrimit të historisë së luftës për liri përmes një procesi të manipuluar nga dosjet dhe retorika serbe.
I ftuar në edicionin informativ të lajmeve, Përfaqësuesi i platformës qytetare "Liria ka Emër", Ismail Tasholli, u shpreh se procesi gjyqësor në Hagë po kriminalizon luftën çlirimtare dhe po trajton viktimat si agresorë, duke i shërbyer një narrative të padrejtë të Millosheviçit.
Ai e cilësoi të papranueshëm përfshirjen e 50,000 dosjeve serbe në këtë proces dhe ndikimin politik që ato kanë. Tasholli theksoi se ky proces është një kërcënim për të ardhmen e Kosovës, duke mundësuar delegjitimin e luftës për liri dhe të ndërhyrjes së NATO-s.
Ai ftoi qytetarët që të mbështesin protestat e 17 shkurtit për të mbrojtur të vërtetën dhe historinë e Kosovës.
Pjesë nga deklarata:
Për momentin, jam mysafir i një anëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili tani është kryetar i komunës së Malishevës. Pak më herët kemi diskutuar një problematikë që ka shpërfaqur gjykata, e cila ka përdorur një qasje asimetrike dhe të padrejtë në raport me të dyja palët, agresorin dhe viktimën. Unë kam thënë shpesh që, në trajtimin e ushtarëve të UÇK-së, është krijuar një iluzion sikur po flasim për Kinën dhe jo për një grusht gueril shqiptar. Çdo ushtar që ka pasur lidhje me zinxhirin komandues ose ka qenë zëdhënës, ka kaluar në një trajtim të padrejtë nga këto gjykata.
Sot mund të themi me të drejtë se, po të ishte gjallë Adem Jashari, ai do të ishte në bankën e të akuzuarve si pjesë e atij “krimi të përbashkët” që pretendon gjykata e Hagës. Ky është një proces që nuk është vetëm juridik, por edhe politik, sepse mënyra se si ata interpretojnë dhe trajtojnë çështjen përkon me qëndrimet zyrtare të Sllobodan Millosheviç. Cilësimet e tij për UÇK-në janë tashmë të artikuluara në gjykatën e Hagës, madje edhe propaganda e tij për arsyen që shqiptarët po largoheshin nga Kosova, për shkak të NATO-s, ndodhet aty brenda.
Një tjetër element shqetësues është se kjo gjykatë ka marrë mbi 50,000 dosje nga Serbia, dhe shumë nga këto dosje janë të njëanshme dhe të inkriminuara. Kjo shpërndarje e fajit dhe balancimi i situatës është i manipuluar përmes presionit gjeopolitik. Kosova dhe qytetarët e saj nuk duhet të martirizohen në këtë proces. Ata nuk janë qytetarë të këtij botëkuptimi të pasluftës që përpiqet të shohë realitetin nga një këndvështrim i përbaltur dhe jologjik.
Në këtë kontekst, Tirana dhe Prishtina zyrtare kanë mundur të bëjnë më shumë për të mbrojtur interesat e Kosovës. Po të shohim shembuj si Kroacia dhe Gotovina, ku shteti ka pasur një qasje të fuqishme për të mbrojtur qytetarët e tij, Kosova duhet të bëjë më shumë për të mbrojtur ata që e kanë çuar përpara çështjen e lirisë. Deri tani, qeveria e Kosovës ka ngritur zërin, madje edhe kryeministri ka bërë disa përpjekje simbolike për të përkrahur këtë kauzë. Gjithashtu, edhe Sali Berisha ka mbështetur marshin që u organizua para tre viteve për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve të Kosovës.
Kështu, është e rëndësishme që të gjithë spektri politik, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni, Preshevë, Bujanoc, Medvegjë, të unifikohen dhe të bëjnë presion të fortë për të mbrojtur qytetarët dhe të drejtat e Kosovës. Nëse nuk bëhet kështu, do të kemi pasojat të mëdha, si për shtetin e Kosovës, ashtu dhe për të ardhmen e brezave të ardhshëm. Ky është një proces që nuk duhet të lejojë asnjë formë relativizimi nga ana e Perëndimit, sepse do të dëmtonte rëndë legjitimitetin e ndërhyrjes së NATO-s dhe të gjithë rrugës që ka çuar në lirinë e Kosovës.
Dosjet dhe dokumentet që ka marrë Haga janë të njëanshme dhe të përgatitura nga prokuroria serbe, UDB dhe strukturat e tjera të Serbisë, të cilat i kanë përdorur për të legjitimuar akuzat ndaj ushtarëve të UÇK-së. Kjo është një përpjekje për të manipuluar drejtësinë dhe për të krijuar një imazh të padrejtë për luftën e Kosovës. Ky është një proces që kërkon reagim dhe mobilizim të fortë nga të gjithë shqiptarët.
Në këtë kuadër, 17 shkurti është një datë e rëndësishme për qytetarët e Kosovës dhe të gjithë shqiptarët. Është dita kur qytetarët duhet të flasin dhe të reagojnë ndaj padrejtësive që po i bëhen Kosovës dhe popullit të saj. Të gjithë shqiptarët duhet të bashkohen dhe të dërgojnë një mesazh të fuqishëm dhe të unifikuar për të mbrojtur të drejtat dhe lirinë e Kosovës.
© SYRI.net