Këlliçi dhe deputetët e PD-së në Washington: Rama dhe qeveria e tij, partnerë të kartelit Sinaloa

17:37, 05/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një delegacion deputetësh të Partisë Demokratike vizitoi Washingtonin, ku zbuluan dhe denoncuan lidhjet e dyshuara të qeverisë shqiptare me kartelet ndërkombëtare të drogës, duke paralajmëruar se vendi po shndërrohet në një “narkoshtet”.

Në një intervistë në studion e Syri TV, Deputeti i PD-së, Belind Këlliçi theksoi se në fokus të takimeve në Washington ka qenë lufta ndaj karteleve ndërkombëtare të kokainës.

Ai shtoi se Shqipëria ka hyrë në radarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shkak të bashkëpunimit të ngushtë të kryeministrit shqiptar, të “kukullës së Sorosit,” siç konsiderohet shpesh në qarqe të ngushta në Washington, Edi Ramës, me kartelet e drogës dhe trafikantët më të njohur në botë.

Gjatë takimeve me senatorë dhe kongresmenë amerikanë, Këlliçi zbuloi lidhjet e qeverisë aktuale me kartelet ndërkombëtare të drogës dhe shkatërrimin e drejtësisë dhe transparencës.

“Ky vend nuk funksionon më sipas ligjit,” tha Këlliçi. “Paratë e krimit të organizuar pastrohen përmes sektorit të ndërtimit, ndërhyrja në drejtësi është flagrante, dhe çdo vendim i rëndësishëm merret nga një individ i vetëm. Shqipëria sot konsiderohet një narkoshtet, dhe kjo alarmon qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë.”

Deputetët e Partisë Demokratike gjatë qëndrimit, ata morën pjesë në “Mëngjesin e Lutjeve” dhe zhvilluan takime me kongresmenë dhe senatorë të lartë amerikanë, përfshirë Keith Self, Pete Sessions, Clay Higgins, Tim Walberg dhe Mike Lee, si dhe takime konfidenciale në Departamentin e Shtetit.

Pjesë nga deklarata:

Unë sapo kam dalë nga aktiviteti i përvitshëm që zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Washington, në Washington Hilton, dhe ky është viti i 74 që zhvillohet. Është Mëngjesi i Lutjeve, një aktivitet botëror, mbarëbotëror, që bën bashkë politikanë, kongresmenë, senatorë, ligjvënës amerikanë dhe nga mbarë bota.

Këtë vit ishin rreth 110 shtete, në emër të unitetit, të besimit të kombeve dhe të besimit fetar, pa diskutim. Sapoud përfundoi fjalën edhe vetë Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidenti Trump.

Gjatë kësaj jave, ky ka qenë një ndër aktivitetet ku ne kemi marrë pjesë si deputetë të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Kemi marrë pjesë, kemi takuar miq, kolegë dhe bashkëpunëtorë tanë. Përpos këtij takimi të sotëm, sigurisht gjatë gjithë javës, ju keni parë dhe sërish më vonë gjatë ditës së sotme do të kemi takime, dhe ditën e nesërme të tjera, në Kongresin Amerikan, ku kemi takuar ligjvënës, mbase më me zë të Partisë Republikane.

Duke nisur nga takimi i parë që kemi bërë me kongresmenin Keith Self, kryetari i nënkomisionit për punët e Europës dhe punët e jashtme në Kongresin Amerikan, i cili ka mbajtur qëndrime shumë të forta për çështjen shqiptare, për reformën në drejtësi, dhe për deformimin dhe keqpërdorimin e gjyqësorit në Shqipëri si një pushkë, si një armë kundër kundërshtarëve politikë nga kjo mazhorancë aktuale.

Kemi takuar një sërë kongresmenësh të tjerë, si zotin Molenaar, Pete Sessions, kryetari i komisionit për qeverisjen e mirë, dhe Clay Higgins, ku takimi ka qenë fantastik. I gjithë fokusi ka qenë tek lufta ndaj karteleve dhe zhdukja e karteleve transoqeanike dhe ndërkombëtare të kokainës, ku Shqipëria ka hyrë në radarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shkak të bashkëpunimit të ngushtë të qeverisë shqiptare, të kryeministrit shqiptar, të “kukullës së Sorosit,” siç konsiderohet shpesh në qarqe të ngushta në Washington, Edi Ramës, me kartelet e drogës dhe trafikantët më me zë në botë.

Gjej rastin të përmend një rast konkret që u diskutua dhe që u rikthye në vëmendje: rasti i kartelit Sinaloa. Është e paimagjinueshme për Kongresin Amerikan që një organizatë e dizenjuar si terroriste nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku janë blacklistuar anëtarët dhe eksponentët kryesorë të kësaj organizate, befas e gjen veten si organizatë partnere, mike, investitore strategjike e qeverisë shqiptare, e kryeministrit Rama. Kjo organizatë pritet në zyrën e kryeministrit, i jepet licencë për kazino, i jepet licencë për hotel me shumë yje, ndërkohë që SHBA-ja i bllokon të gjitha asetet. Kryeministri shqiptar i mirëpret në zyrë si investitor strategjik, u jep favore dhe licenca, në emër sigurisht të interesit të përbashkët dhe të trafikut të përbashkët.

Kemi pasur një sërë takimesh të tjera me kongresmenin Tim Walberg, kryetar i komisionit të Edukimit në Shtetet e Bashkuara, me Joe Wilson dhe të tjerë. Një pjesë e delegacionit tonë ka pasur edhe takime në Departamentin Amerikan të Shtetit, për të cilat duhet të mbeten konfidenciale, dhe në një moment tjetër, pasi të përfundojmë vizitën, gjithçka do të bëhet e ditur.

Kjo javë ka qenë tejet intensive për të gjithë deputetët e Partisë Demokratike dhe jo vetëm, edhe zotin Mediu, si kryetar i Partisë Republikane në Shqipëri, i cili ka qenë së bashku me ne pothuaj në të gjitha takimet. Ka qenë një javë intensive takimesh me partnerët tanë, senatorë, dhe unë kam pasur mundësinë të takoj dhe të darkoj me senatorin Mike Lee, si dhe me kongresmenë të ndryshëm nga shtete të ndryshme, për të informuar miqtë tanë dhe partnerët mbi situatën që po kalon shteti shqiptar.

Mbi të gjitha, disa kongresmenë na kanë pyetur: si e shpjegoni termin “narkoshtet” dhe pse Shqipëria sot konsiderohet në mënyrë të gjerë si një narkoshtet? Me të dhënat tronditëse që dalin çdo javë, është tashmë e qartë se nuk kemi të bëjmë vetëm me një shtet autoritar, nuk kemi të bëjmë vetëm me një lider autoritar, nuk kemi të bëjmë vetëm me një autokraci elektorale, ashtu siç ishte më parë. Ajo çfarë po ndodh sot në Shqipëri nën drejtimin e Edi Ramës është kthyer në një kartel: një shtet kartel droge, një shtet që pastron paratë e krimit të organizuar dhe të trafikut të drogës përmes sektorit të ndërtimit.

Kryeministri është një individ i vetëm që vendos për të gjitha fatet e Republikës së Shqipërisë dhe të gjitha vendimet i merr vetëm ai. Është shqetësuese dhe e paimagjinueshme ndërhyrja e qeverisë në gjyqësor, siç u pa në rastin e zëvendëskryeministres Balluku. Gjykata Kushtetuese vijon të ndjekë skenarin e djegies së afateve për heqjen e imunitetit dhe hapjen e rrugës për ekzekutimin e masave të ndalimit të kërkuara nga Prokuroria e Posaçme, pa asnjë justifikim ligjor.

Po ashtu, skandali i AKSH-it tregon që të dhënat tona janë tregtuar edhe në vende jo partnere dhe edhe në vende armike të Aleancës së NATO-s. Agjencia e krijuar për të rritur transparencën dhe luftuar korrupsionin është kthyer në një organizatë kriminale të drejtuar nga individë të emëruar nga Edi Rama, të cilët merrnin peng biznesmenët që hynin në tendera dhe aplikonin në këtë organizëm shtetëror.

Është një paradoks që vetëm një mendje e sëmurë dhe e djallëzuar si e Edi Ramës mund ta fusë shtetin shqiptar një vend aleat dhe anëtar të NATO-s në këtë situatë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco