'I shkëputur nga realiteti'/ Tafani: Rama si 'mbreti lakuriq', po i çmontohen vidat dalëngadalë

'I shkëputur nga realiteti'/ Tafani: Rama si 'mbreti lakuriq', po i çmontohen vidat dalëngadalë

08:38, 22/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Analisti Endri Tafani, i ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV, ka kritikuar kryeministrin Edi Rama, duke e cilësuar atë si një politikan të shkëputur nga realiteti pas një kohe të gjatë në pushtet.

Sipas Tafanit, qëndrimi për shumë mandate në krye të qeverisë ka sjellë një distancim të Ramës nga problemet reale të qytetarëve.

Analisti argumentoi se aftësia kryesore e kryeministrit ka qenë ndërtimi i një mekanizmi për ruajtjen e pushtetit, ndërsa e cilësoi modelin ekonomik të qeverisjes së tij si të thjeshtë dhe të fokusuar tek ndërtimi.

“Ajo që Rama di të bëjë është të ndërtojë një makineri korrupsioni për të fituar zgjedhjet dhe për të qëndruar në pushtet. Modeli i tij ekonomik është shumë i thjeshtë: gjej terren, jepi lejen e ndërtimit dhe fut lekët në xhep,” deklaroi Tafani.

Më tej, ai tha se kryeministrit i mungon një vizion i qartë politik apo ideologjik, duke pretenduar se fjalimet e tij mbështeten më shumë te forma sesa te përmbajtja.

“Po t’i zhveshësh nga eleganca e mënyrës se si ndërtohen fjalët, fjalimet e tij janë bosh nga pikëpamja e logjikës, njohurive apo ideve që duan të transmetojnë,” tha Tafani.

Sipas analistit, qytetarët kërkojnë zgjidhje konkrete dhe jo retorikë, ndërsa shtoi se me kalimin e kohës qeveria po përballet gjithnjë e më shumë me pasojat e mungesës së rezultateve të prekshme.

“Njerëzit duan gjëra konkrete. Kur e gjithë retorika është praktikisht boshe, vjen një moment kur realiteti të sjell faturën. Dhe ky është momenti kur po i kërkohen gjëra praktike që ai nuk mund t’i ofrojë,” u shpreh ai.

Më tej, Tafani përdori metaforën e “mbretit lakuriq” për të përshkruar, sipas tij, situatën aktuale të kryeministrit.

 

Tafani:

Duke qenë kaq mandate në detyrë, normalisht fillon shkëputjen nga realiteti dhe kjo është një nga problematikat e mëdha. Ajo që Rama di të bëjë është që të ndërtojë një makineri korrupsioni për të fituar zgjedhjet dhe për të qëndruar në pushtet. Kaq është. Dhe modeli i tij ekonomik është shumë i thjeshtë: gjej terren, jepi lejen e ndërtimit, edhe, edhe fut lekët në xhep.

Domethënë, është shumë e thjeshtë si ide. Domethënë, ok, mund të themi banale në kuptimin e thjeshtësisë. Sepse nuk ka asgjë tjetër. Ti po ta shikosh, pra të gjithë fjalimet e Ramës, nuk është se kanë ndonjë vizion, apo nuk është se ka ndonjë bosht ideologjik, apo nuk është se ka ndonjë formim, po themi, që të frymëzojë për të bërë diçka...

Domethënë është bosh, praktikisht është një njeri që, po ta dëgjosh edhe fjalimet e veta, duket sikur janë fjalë të bukura, por që në vetvete po të thellohesh tek fjalimi i tij, për shembull, nuk gjen asnjë gjë. Të veshura nga estetika po thoni? Në qoftë se i zhvesh nga eleganca që si fjalët vendosen njëra pas tjetrës, në fjalimet e tij janë bosh, po themi nga pikëpamja e logjikës apo njohurive apo e asaj çfarë interesante duan të transmetojnë.

Kështu që i tillë ka qenë. Problemi është që kur një person i tillë qëndron për shumë kohë në pushtet, pastaj fillon edhe, i bie akoma dhe më në sy kjo pjesa e shkëputjes nga realiteti, sepse fundi i fundit njerëzit duan ato që janë gjëra konkrete. Dhe kur e gjithë retorika jote është praktikisht retorikë boshe, vjen një moment kur realiteti të sjell faturën.

Dhe ky është momenti kur po i shtohet fatura përpara dhe po i kërkohen gjëra praktike. Në atë moment, ai nuk mund t'i ofrojë këtë gjë. Nuk e ka ofruar më përpara, nuk e ka ofruar ndonjëherë në të gjithë jetën e vet në politikë, nuk mund ta sjellë tani. Kështu që praktikisht kjo që po shohim është ajo që është 'mbreti lakuriq'. Ky është Rama i vërtetë. Thjesht shqiptarët për fat të keq po e kuptojnë me shumë vonesë, me dekada vonesë, se kush është Rama i vërtetë.

Ky është Rama i vërtetë, ai që del aty, që është një njeri bosh, i shkëputur nga realiteti, që di vetëm të ndërtojë një makineri pushteti si puna e asaj që ka aktualisht në përdorim, po që po i çmontohen vidat dalëngadalë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco