'Po çmontojmë propagandën'/ Tepelena: Protesta hyn në ditën e 23-të, Rama është i lodhur, protestuesit jo

'Po çmontojmë propagandën'/ Tepelena: Protesta hyn në ditën e 23-të, Rama është i lodhur, protestuesit jo

09:20, 22/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në një intervistë për Flavio Qarrin në emisionin “KAFE SHQETO” në SYRI TV, aktivisti Andi Tepelena, i cili foli nga bulevardi përpara Kryeministrisë, aty ku ai dhe disa protestues kanë kaluar natën e 22-të të protestës kundër kryeministrit Edi Rama, duke hyrë kështu në ditën e 23-të të qëndresës, deklaroi se situata në shesh mbetet e qetë dhe protesta po vijon në mënyrë paqësore.

Sipas Tepelenës, një grup protestuesish vazhdojnë të qëndrojnë në shesh pavarësisht lodhjes së krijuar nga qëndrimi gjatë natës, duke e konsideruar këtë pjesë të filozofisë së protestës dhe të qëndresës paqësore.

Duke folur për vijimësinë e protestës, Tepelena tha se çdo mbrëmje qytetarët mblidhen sërish në orën 19:00 dhe se pjesëmarrja mbetet e qëndrueshme. Ai hodhi poshtë pretendimet për lodhje të protestuesve, duke deklaruar se “i lodhur është kryeministri”, ndërsa qytetarët po vazhdojnë protestën në mënyrë paqësore dhe dinjitoze.

Në lidhje me incidentet e izoluara, Tepelena deklaroi se ato janë të pashmangshme në protesta të tilla dhe pretendoi se shpesh shkaktohen nga persona që, sipas tij, janë të lidhur me sistemin. Ai kritikoi etiketimet dhe akuzat e ndryshme që u janë bërë protestuesve, duke theksuar se kërkesa e tyre mbetet e pandryshuar.

“Kemi vetëm një kërkesë: dorëheqjen e Edi Ramës”, tha Tepelena, duke shtuar se kjo është kërkesa kryesore dhe e vetme e protestuesve.

I pyetur për një afat apo datë konkrete të protestës, ai tha se vendime të tilla nuk merren nga organizatorët apo grupi që koordinon aktivitetet në shesh, por nga vetë qytetarët. 

Në fund të intervistës, Tepelena u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen me protestën, duke ftuar punonjës, sipërmarrës, pensionistë, minatorë dhe përfaqësues të të gjitha shtresave sociale të jenë pjesë e saj.

Tepelena:

Sheshi ka disa protestues këtu që po vazhdojnë protestën... të themi në mënyrë paqësore, janë ulur këtu. Natyrisht që janë paksa të lodhur sepse kanë qëndruar gjithë natën, por kjo është pjesë e filozofisë së protestës, të vazhdimit të qëndresës paqësore në këtë shesh. Kështu që në këtë moment situata është e qetë, nuk ka pasur ndonjë shqetësim.Si çdo ditë, këtu fillon bëhet vapë pas pak, dielli është shumë i fortë.

Nuk e di kush mund të qëndrojë e të rezistojë, është në vullnetin, në dëshirën e tyre. Pastaj si çdo mbrëmje, do vazhdojë protesta në orën 7. Protesta është e qëndrueshme, pjesëmarrja është e qëndrueshme. Nuk ka lodhje, siç thuhet. Këtu është i lodhur, kryeministri është i lodhur, është i mbaruar.

Ky popull po vazhdon të protestojë në mënyrë paqësore, në mënyrë fantastike dhe për mua ka qenë një nga imazhet më të bukura që i është dhënë Shqipërisë me këtë protestë. Një protestë emancipuese, qytetare, e paqtë dhe them se shqiptarët kanë marrë notën 10 për këtë protestë në sytë të gjithë opinionit botëror.

Është normale, incidentet sidomos kur krijohen nga patronazhistë, nga njerëz që janë të futur, agjentë të sistemit e kështu me radhë.

Është normale që të ketë incidente në këto. Një herë na bëjnë spiun grek, një herë na bëjnë spiun serb, rus, e kështu me radhë... iranianë e të tjerë e të tjerë. Tashi është edhe kjo te problemi i algoritmit, e kupton? Dhe këto janë gjëra që ne nga ky shesh i bëjmë thirrje vetëm për një gjë, një kërkesë kemi: dorëheqjen, dorëheqjen, dorëheqjen e Edi Ramës. Po, për qytetarët në shesh patjetër që bëj... është kjo thirrje e përditshme, dorëheqja e Edi Ramës. Nuk ka asnjë lloj kërkese tjetër përveç kësaj.

Kjo është kërkesa madhore, imperative në këto momente.Shiko, çdo ditë kërkohet një datë, një afat, një 'deadline'. Ne këtu që mirëmbajmë qendrën e zërit jemi në një farë mënyre thjesht zëdhënës të vullnetit të popullit.

Nëse populli do një datë, një afat të caktuar, do ta marrin qytetarët në dorë këtë gjë. Por ne po vazhdojmë në mënyrë të qartë, çdo ditë po e zhveshim nga propaganda dhe nga mashtrimet kryeministrin.

Këtu po vijnë të gjithë shtresat, përfaqësues të shtresave sociale të Shqipërisë, po përfaqësojnë, po shpalosin të gjithë plagët sociale, ekonomike që ka ky vend. Pra çdo ditë ne vazhdojmë të mbajmë ritmin, dhe nuk jemi aspak të lodhur. Nëse do ketë një datë, kjo nuk vendoset as nga mua, as nga grupi që mirëmban qendrën e zërit këtu.

Është çështje që e vendosin qytetarët. Protesta do të vazhdojë, për aq kohë sa ka një popull që është në këtë shesh në mënyrë të qëndrueshme, dinjitoze, çdo ditë dhe kulmon gjithmonë në fundjavë me një protestë të madhe kombëtare.Të vijnë, çdo ditë të bashkohen të gjithë.

Nuk kanë asgjë për të humbur në këtë situatë. Të vijnë punonjësit, të vijnë operatorët e ndryshëm, sipërmarrës, të vijnë familjarët, të vijnë njerëzit... pensionistët, të vijnë minatorët, të vijnë të gjithë këtu.

Këtu vendosen fatet e vendit. Kjo është një moment historik për të gjithë shqiptarët. Largimi i Edi Ramës është një mënyrë për të çliruar shqiptarët dhe për të çliruar energjitë pozitive në këtë vend. Se çfarë do vijë më pas nuk e dimë, nuk është se na mbetet ne për të vendosur se çfarë do ndodhë, por këtë kemi kërkesë. Kjo është një dëshirë, një vullnet i popullit shqiptar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco