Deputeti i PD, Igli Cara, gjatë fjalës së tij në protestën e banorëve të Durrësit, tha se situata me pronat në qytet është e papranueshme dhe një abuzim i madh. Ai u shpreh se qeveria dhe bashkia po rrëmbejnë pasuritë e qytetarëve, duke lënë banorët pa mbrojtje.
“Kjo nuk është thjesht një çështje, patjetër që është më e rëndësishmja, çështja e pronave, të cilët nuk mund t'ia merret kurrkujt, sepse qeveritë dhe bashkitë krijohen për të mbrojtur pasuritë e qytetarëve, dhe del pikërisht qeveria dhe bashkia që ia rrëmben pronat qytetarëve,” tha Cara.
Deputeti kritikoi mënyrën se si projektet zhvillimore si TID/BID, që sipas tij janë të prezantuara si donacione, përfundojnë duke sjellë përfitime private për disa aktorë, ndërkohë që qytetarët nuk përfitojnë asgjë.
Ai theksoi se banorët e Durrësit janë të shqetësuar për prishjet e para, që pritet të fillojnë brenda pak javësh, dhe se institucionet nuk po respektojnë kërkesat për transparencë dhe dialog me qytetarët.
Cara paralajmëroi se ky proces është abuziv, korruptiv dhe i dyshimtë, dhe nënvizoi nevojën që qytetarët të jenë të informuar për të mbrojtur pronat dhe interesin publik.
Deklarata e plotë:
"Në fakt, ju e keni trajtuar këtë çështje dhe në deklaratat e mëparshme nga banorët, por unë do të shtroja një problem tjetër që shpesh lihet pas dore.
Kjo nuk është thjesht një çështje, patjetër që është më e rëndësishmja, çështja e pronave, të cilët nuk mund t'ia merret kurrkujt, sepse qeveritë dhe bashkitë krijohen për të mbrojtur pasuritë e qytetarëve, dhe del pikërisht qeveria dhe bashkia që ia rrëmben pronat qytetarëve.
Kjo është një abuzim i madh. Ky rast për TID-in nuk duhet trajtuar vetëm për prona, por me të gjitha, një çikë më gjerë. TID-i është një projekt zhvillimi, që në pamje të parë e pranojmë të gjithë.
Por në emër të zhvillimit, nëse konstatojmë abuzim, duhet të reagojmë. Ky nuk është thjesht vjedhje e pronarëve, është korrupsion shumë i madh.
Aktorët janë: ministria, qeveria, bashkia, TID-i dhe banorët. Pyetja është: çfarë do të marrim? Projekti i ADF-së investon deri në 6 milionë dollarë, por shifra nuk është e saktë dhe mund të jetë shumë më pak.
Pas përfundimit, shteti financon kompensimin e pronave, bashkia investon, por pas mbrapa del BID-i, i cili do të bëjë menaxhimin. Pyetja: të ardhurat e menaxhimit, kush i merr? BID-i. Atëherë ku është donacioni? Ka përfitim të drejtpërdrejtë nga BID-i.
Pa diskutim, çështja e pronarëve është kryesore, nuk mund të nxjerrësh tjetrin nga prona që ka trashëguar 100 vjet. Ky është një rast abuziv, ku fjala “donacion” zhduket dhe bashkia hesht. Pse kjo bashki dhe qeveri nuk pranojnë komision hetimor?
Sipas disa zërave, prishjet e para do të fillojnë brenda dy javëve. Banorët tregojnë se është akt shumë i rëndë. ADF-ja ka lëshuar një shkresë se është e gatshme të ulet në tavolinë me qeverinë, bashkinë dhe banorët për të diskutuar projektin dhe çështjet ligjore. Por bashkia dhe Ministria e Kulturës nuk pranojnë.
Procesi është i dyshimtë, abuziv dhe korruptiv. Vijnë si donacione, ndërhyjnë në zonat më të mira të qyteteve, dhe pas disa muajsh marrin të drejtën e menaxhimit dhe përfitimeve financiare. Një njeri që merr kthim disa herë më shumë nuk është më donator. Ky është problemi sensitive dhe prandaj është e rëndësishme që e vërteta të dali".
© SYRI.net