Banorët e fshatit Sukth kanë dalë këtë të premte në protestë, pas situatës së rënduar të krijuar nga përmbytjet e përsëritura që kanë prekur zonën e tyre.
Qytetarët ngrenë shqetësime serioze për mungesën e mbështetjes nga institucionet shtetërore dhe qeveria, duke theksuar se problemi i përmbytjeve është i njohur prej vitesh, por ende nuk është marrë asnjë masë konkrete për zgjidhjen e tij.
Sipas banorëve, ata kanë depozituar ankesa dhe kërkesa në disa institucione që prej vitit të kaluar, duke kërkuar ndërhyrje për pastrimin e kanalit kullues, në të cilin derdhen edhe ujërat e zeza. Megjithatë, pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme, asnjë veprim nuk është ndërmarrë.
Banorët bëjnë përgjegjëse institucionet për mungesë përgjegjësie dhe angazhimi, duke theksuar se kanalet kulluese nuk janë pastruar në kohë, çka ka sjellë përmbytje të banesave dhe rrugëve.
Sipas tyre, kanalet pranë portave kryesore të banesave janë të papastruara, të pambuluara dhe përbëjnë rrezik serioz për shëndetin e komunitetit, pasi aty derdhen ujërat e zeza.
Qytetarët kërkojnë ndërhyrje urgjente për pastrimin dhe sistemimin e kanaleve kulluese, duke paralajmëruar se protestat do të vijojnë nëse institucionet nuk reagojnë.
© SYRI.net