Në një deklaratë për mediat, Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PL, Arla Merja, kritikoi ashpër qeverisjen e Kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për dështim në sektorin e arsimit dhe menaxhimin e jetesës së qytetarëve.
Merja, theksoi se qeveria nuk ka adresuar kostot e larta të jetesës, mungesën e arsimit cilësor dhe largimin masiv të të rinjve nga vendi, duke ofruar zgjidhje propagandistike dhe jo politike reale.
Ajo u shpreh se reforma në arsim ka dështuar, duke lënë studentët pa perspektivë dhe universitetet publike me besim të ulët, ndërsa qeveria ka shfaqur vetëm justifikime dhe projekte boshe.
Fjala e plotë:
Të nderuar qytetarë!
Sot, pas 12 vitesh pushtet absolut, Kryeministri Edi Rama pranon indirekt dështimin e tij në arsim dhe në menaxhimin e jetesës në Shqipëri.
Kur qiratë në Tiranë janë bërë të papërballueshme, kur studentët nuk përballojnë më as jetesën minimale dhe kur rinia po largohet masivisht nga vendi, zgjidhja që ofron qeveria është t’i largojë studentët nga kryeqyteti dhe jo të rregullojë problemin.
Kjo nuk është politikë publike. Ky është dorëzim. Dorëzim ndaj gjendjes në të cilën me duart e tyre, e cuan Shqipërinë.
Sot, qytetarët kanë kostot e jetesës më të larta në rajon dhe pagat më të ulëta.
Studentët nuk kanë nevojë për një kampus të ri në Durrës dhe as për një “Durana nr. 2”, që ekziston vetëm në letër dhe në propagandë.
Ata nuk kanë nevojë të udhëtojnë çdo ditë dhjetëra kilometra për të ndjekur auditoret, duke humbur kohë, para dhe energji. Ata kanë nevojë për arsim cilësor, të përballueshëm dhe për perspektivë në vendin e tyre.
Faktet flasin qarte:
-Shqipëria renditet ndër vendet e fundit në Europë për financimin e arsimit.
-Premtimi për 5% të PBB për arsimin nuk u mbajt kurrë.
-Pagat e pedagogëve mbeten ndër më të ulëtat në rajon, duke nxitur largimin e trurit akademik.
-Shkenca dhe inovacioni janë praktikisht të pafinancuara.
-Arsimi nuk lidhet me tregun e punës, çka i lë të rinjtë ose të papunë, ose të detyruar të emigrojnë.E ashtuquajtura “reformë në arsim”, e bërë nga vetë Kryeministri, ka dështuar plotësisht. Sot kemi më pak studentë, më pak besim në universitetet publike dhe më shumë të rinj që zgjedhin të largohen nga Shqipëria.
Problemi kryesor nuk është mungesa e godinave. Problemi është shpopullimi i vendit nga rinia, një hemorragji kombëtare që kjo qeveri jo vetëm nuk e ndali, por e përshpejtoi.
Edi Rama kishte 12 vite kohë të mbante premtimet. Nuk e bëri. Sot nuk ka më zgjidhje për të ofruar, vetëm justifikime dhe projekte propagandistike.
Prandaj, sot nuk është koha për eksperimente urbane dhe slogane boshe.
Sot është koha që kjo qeveri të largohet, sepse ka dështuar në çdo aspekt të qeverisjes, përveç njërit: demagogjisë dhe mashtrimit publik.
© SYRI.net