VIDEO/ Boçi: PD kundër uljes së numrit të bashkive, Rama e ka kthyer pushtetin vendor në magazinë votash

20:03, 27/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deputeti i Partisë Demokratike dhe bashkëkryetar i Komisionit të Reformës Territoriale, Luçiano Boçi, gjatë një interviste në Edicionin ‘Ora 19’ në SYRI TV me moderatoren Armela Ferko, ka deklaruar se PD është kategorikisht kundër zvogëlimit të numrit të bashkive. Sipas tij, mazhoranca po e përdor reformën territoriale për interesa politike dhe jo në funksion të qytetarëve.

Boçi u shpreh se zërat për uljen e numrit të bashkive ngrenë dyshime serioze për sinqeritetin e procesit dhe për qëllimin e vërtetë të kësaj reforme.

‘Nëse finaliteti është i përcaktuar për të reduktuar numrin e bashkive, atëherë kjo nuk është reformë, por shou politik. Ne nuk jemi dakord dhe nuk jemi në të njëjtën linjë me mazhorancën,’ deklaroi ai.

Deputeti demokrat theksoi se reforma territoriale nuk duhet parë me syzet e partive, por si një interes i drejtpërdrejtë i qytetarëve dhe i vendit, për të garantuar një territor të mirëqeverisur dhe me shërbime të barabarta për të gjithë.

‘Reforma e 2014-ës dështoi. Bashkitë sot janë shndërruar në magazina votash për mazhorancën, me administrata të fryra, me punonjës të shtuar deri në 10-fish, ndërsa shërbimet ndaj qytetarëve kanë rënë ndjeshëm,’ u shpreh Boçi.

‘Në realitet kjo hedh dyshime mbi sinqeritetin e kësaj e këtij komisioni, e kësaj tryeze, ose e kësaj reforme. Në qoftë se ka një vendim të parashkruar për të zvogëluar numrin e bashkive, atëherë ne nuk jemi fare në dakordësi, nuk jemi në të njëjtën linjë dhe nuk pasqyrohet ky realitet të themi, marrjes së kompetencave të pushtetit vendor nga pushteti qendror dhe nuk reflekton kërkesën e qytetarëve për të pasur më shumë shërbime, më shumë pranë pushtetin vendor, më shumë kujdes për ta në çdo cep të territorit të Republikës së Shqipërisë, në mënyrë të barabartë pavarësisht se ku jetojnë ata.

Sepse në qoftë se finaliteti është i përcaktuar siç u shpreh edhe ë, nëpërmjet rreshtave dhe nën rreshta nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste, atëherë kemi të bëjmë me një rrugëtim shou, i cili ka të njëjtin përfundim sikurse edhe mos bëhesh fare, por të na paraqitesh një variant i përfunduar sipas ekzigjencave, emocioneve, dëshirave të tyre dhe në fund ta çoni në seancë meqenëse pretendojnë që kanë shumicën e votave.

Ne që në fillim e kemi përcaktuar që kjo nuk është një reformë politike, është një interes jo politik, jo partiak, s'duhet parë me syzet e partisë, por është një interes i drejtpërdrejtë i qytetarit, por dhe interes madhor i vendit. Pra, për të pasur një territor të mirëqeverisur në çdo element të tij dhe në çdo hapësirë të tij.

Së pari, ajo që kërkuam ne ishte që të pranonin vetë përfaqësuesit e mazhorancës që ne jemi ulur në këtë tryezë sepse kemi një dështim të një reforme, reformë mbi reformë dhe në qoftë se ne ndjekim po të njëjtën rrugë siç është ndjekur më përpara dhe të kemi të njëjtin konkludim në terma akoma më të ngushtuar, atëherë dhe rezultati do jetë i tillë siç është sot, dështim dhe akoma më i thellë, në raport me të drejtat, me autonominë e qeverisjes vendore, në raport edhe me shërbimet që duhet të ofrojnë bashkitë.

Fatkeqësisht u përdor e njëjta retorikë sikurse para 10 viteve, që kjo reformë synon forcimin e bashkive nga pikëpamja financiare dhe administrative, mund të rrisë shërbimin, ë, cilësinë e shërbimit për publikun, sikurse mund të sjellë dhe zhvillim të ekuilibruar, gjë që nuk mund të ndodhë sepse është parë ky rezultat.

Sot bashkitë janë shndërruar në magazina politike që ofrojnë vota. Shpenzimet kapitale të tyre janë më të larta se investimet, janë rritur ndjeshëm. Numri i punonjësve që në 2015-ën ishte objektiv për t'u zvogëluar, me qëllim që shpenzimet të kalonin si investime, është dyfishuar, trefishuar, madje kemi dhe bashki ku gati është 10-fishuar dhe ky është një absurditet shumë i madh.

Ndërkohë që qytetarët nuk marrin ato shërbime që merreshin dhe nuk kanë atë akses në pushtetin vendor dhe llogaridhënia pothuajse është zeruar. Është shumë larg qytetari. Më përpara, domethënë, qenia e një bashkie fleksibël, të vogël, në formatin dhe të komunës, i jepte mundësi atij që ai të ishte në kontakt të vazhdueshëm dhe të kërkonte dhe llogari për të gjitha premtimet apo për të gjitha kërkesat dhe domosdoshmëritë që kanë komunitetet.

Duke qenë se mund të ecim po në të njëjtën rrugë, atëherë, ky rezultat që është rezultati i parashikuar, nuk mund të pranohet nga ne as si rrugëtim, por as edhe si përfundim. Gjithçka që ka ndodhur përgjatë këtyre 10 viteve pas asaj reforme me konture politike, tregon qartazi që duhet të kemi një numër më të madh bashkish’, tha ndër të tjera, deputeti i PD-së, Luçiano Boçi në SYRI TV.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco