Logu: Rama në luftë të hapur me drejtësinë. Kërkesa në Kushtetuese, tentativë për të shpëtuar Ballukun

18:39, 27/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Qeveria i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese duke pretenduar konflikt kompetencash pas vendimit të GJKKO-së për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Sipas avokatit Marash Logu, kjo lëvizje është një "konflikt artificial" që fsheh një betejë politike dhe një "luftë të hapur" të kryeministrit Edi Rama kundër sistemit të drejtësisë, veçanërisht SPAK.

I ftuar në emisionin “Task Force”, avokati Marash Logu u shpreh se kërkesa e qeverisë drejtuar Gjykatës Kushtetuese, pas pezullimit nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku nga GJKKO, është një “konflikt artificial” dhe një përpjekje për të fshehur, sipas tij, “luftën e hapur” që kryeministri Edi Rama i ka shpallur sistemit të drejtësisë, veçanërisht SPAK.

Ai e cilësoi kërkesën e Këshillit të Ministrave si të dobët dhe një artifice ligjore, duke argumentuar se Gjykata e Posaçme nuk ka cenuar asnjë nga kompetencat kushtetuese të kryeministrit dhe se pezullimi i Ballukut nga detyra nuk përbën shkelje të imunitetit të një ministri.

Sipas Logut, qeveria po tenton të krijojë një precedent që do t’i bënte anëtarët e kabinetit praktikisht të paprekshëm ndaj drejtësisë.

Pjesë nga deklarata:

Kompetencat janë të qarta. Pra, kur një organi, në mënyrë shumë të qartë, me Kushtetutë dhe me ligj i është dhënë një kompetencë, Gjykata Kushtetuese ka vendosur që nuk ka konflikt kompetencash dhe, për rrjedhojë, nuk i ka hyrë shqyrtimit në themel të çështjes, dhe kam përshtypjen që duhet të jetë edhe rasti konkret. Po. Në raste të tjera, Gjykata Kushtetuese dhe po ju kujtoj këtu që ka pasur edhe një kërkesë, në fakt, të grupit parlamentar të Partisë Demokratike për zotin Berisha, në qoftë se ju kujtohet atë kohë ka vendosur të mos e marrë në shqyrtim, me dy argumente, por një prej argumenteve që vlen edhe për rastin konkret është që, në këtë rast, kemi të bëjmë me fatin individual të një individi, i cili, në bazë të Kushtetutës dhe të ligjit, ka të drejtën të ndjekë të gjitha shkallët e gjyqësorit: pra Gjykatën e Shkallës së Parë, të Apelit, Gjykatën e Lartë dhe më pas të vijë si ankim individual apo si ankues individual në Gjykatën Kushtetuese, për të mbrojtur të drejtat e tij. Në fund të ditës, në fakt, është hera e parë dhe edhe e paprecedentë dhe e padëgjuar që Këshilli i Ministrave dhe Kryeministri shndërrohen në zyrë avokatie për rastin individual të një personi.

Po. Pra, këtu nuk po flasim për një interes publik apo për një rast kolektiv ku duam që një numër i caktuar ministrash janë cënuar në ushtrimin e detyrës; po flasim për një rast individual, dhe Belinda Balluku, ashtu si çdo shtetas tjetër në Republikën e Shqipërisë, ka të drejtë t’i drejtohet Gjykatës së Apelit, Gjykatës së Lartë dhe, më pas, ta çojë në Gjykatën Kushtetuese, në qoftë se e vlerëson, e më vonë edhe në Gjykatën e Strasburgut. Kështu që, në këtë lloj kuptimi, ky lloj konflikti artificial, i cili, në fakt, në vlerësimin tim, përpiqet të fshehë thjesht luftën e hapur që Edi Rama i ka shpallur tashmë sistemit të drejtësisë dhe, më konkretisht, edhe Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës së Posaçme, si një mesazh që ka disa që janë të paprekshëm dhe që nuk mund të cënohen, pavarësisht atij kamuflimit të madh se “drejtësia e pavarur” e kështu me radhë, që përpiqen ta fshehin nëpërmjet kësaj artifice ligjore. Po të lexoni kërkesën e Këshillit të Ministrave, që është publikuar ditën e djeshme juristët e dinë nuk kam përshtypjen se kanë parë ndonjëherë kërkesë më të dobët të dorëzuar nga Këshilli i Ministrave në Gjykatën Kushtetuese, për sa i përket përmbajtjes së argumenteve apo për sa i përket…

Po pse? Gjykata e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit ka shkarkuar apo ka emëruar, ka propozuar emërimin apo shkarkimin e ndonjë anëtari të Këshillit të Ministrave, kompetencë të cilën e ka Kryeministri? Në fakt, as ka propozuar emërimin e ndonjë anëtari të Këshillit të Ministrave, as ka propozuar shkarkimin e anëtarit të Këshillit të Ministrave. Fakti që sot Belinda Balluku, pavarësisht se është e pezulluar në ushtrimin e detyrës, vazhdon të mbajë formalisht titullin e zëvendëskryeministres dhe të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, do të thotë që Gjykata e Posaçme nuk ka përvetësuar kompetencën e Kryeministrit, duke qenë ai i vetmi i cili mund të propozojë emërimin apo shkarkimin.

Me këtë logjikë, i bie që anëtarët e Këshillit të Ministrave janë imunë edhe nga ndjekja penale. Pra, ata nesër–pasnesër as nuk mund të dënohen me një vendim gjyqësor të formës së prerë, se del Kryeministri dhe thotë se dënimi penal i formës së prerë i kujtdo qoftë sjell menjëherë përfundimin e ushtrimit të detyrës, për shkak të ligjit të dekriminalizimit. Dhe me këtë logjikë, i bie që ata s’mund të dënohen kurrë, sepse “na cënohet pushteti ekzekutiv, balanca e pushteteve ekzekutive”. Tani, për sa i përket imunitetit, në fakt, është e vërtetë që në nenin 103 thuhet që anëtari i Këshillit të Ministrave, ministri, ka të njëjtat garanci dhe mbrojtje si deputeti. Po. Garanci të cilat dhe imuniteti, i cili në fakt është i parashikuar po në Kushtetutë i referohen nenit 73, pikave 1 dhe 2 të Kushtetutës, të cilat flasin për dy lloje imunitetesh: imuniteti i natyrës së papërgjegjshmërisë (deputeti, në ushtrim të detyrës së tij, gjatë fjalës së tij, nuk mban përgjegjësi penale për deklaratat që bën, përjashtimisht rastet e shpifjes). Dhe ky është imuniteti në formën e papërgjegjshmërisë. Imuniteti në formën e paprekshmërisë edhe për deputetin e Kuvendit të Shqipërisë nënkupton që nuk i kontrollohet banesa, nuk i ushtrohet kontroll personal dhe nuk vendosen ndaj tij masat e sigurimit “arrest në shtëpi” apo “arrest në burg” pa pasur më parë një autorizim nga Parlamenti.

Një garanci tjetër për deputetin, e cila është e parashikuar në Kodin e Procedurës Penale dhe lidhet me mospezullimin e ushtrimit të detyrës, në fakt nuk është pjesë e imunitetit të deputetit në kuptimin që jep neni 73 i Kushtetutës. Po. Pra, kjo garanci është ligjore dhe nuk është e parashikuar në Kushtetutë, dhe nuk është pjesë e imunitetit që gëzon anëtari i Këshillit të Ministrave, duke pasur analogji me vetë deputetin. Edhe për shkak se deputeti, siç po themi tashmë thjesht për t’u kuptuar, është i zgjedhur drejtpërdrejt nga populli, ka një pushtet të deleguar drejtpërdrejt nga populli, ndryshe nga rasti i ministrit, i cili në fund të ditës është një i emëruar në atë detyrë, në të njëjtën mënyrë siç emërohet edhe shkarkohet.

Për shembull, deputeti, pavarësisht pakënaqësisë që mund të kenë zgjedhësit e tij me të, pavarësisht pakënaqësisë që mund të ketë partia që ai ka përfaqësuar në zgjedhje, mandati i tij është i paprekshëm: është katërvjeçar dhe i paprekshëm. Nuk është rasti, për shembull, i një ministri, i cili mund të zëvendësohet, mund të emërohet dhe shkarkohet në çdo kohë, pa pasur asnjë lloj garancie për qëndrimin e tij në detyrë. Pra, pa dashur ta bëjmë shumë kompleks në kuptimin teknik të fjalës, sepse ka edhe disa koncepte të tjera që janë elaboruar nga vendimmarrjet e Gjykatës Kushtetuese, rasti i deputetit dhe rasti i ministrit, Këshillit të Ministrave, janë në mënyrë shumë të qartë të ndarë sa i përket kësaj garancie që ata gëzojnë sipas nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco