Velipoja përmbytet nga mbeturinat, Bashkia Shkodër në heshtje totale përballë katastrofës mjedisore

12:53, 27/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Plazhi i Velipojës po përballet me një katastrofë të vërtetë mjedisore. Bregdeti është mbuluar nga mbetje të shumta, kryesisht shishe plastike dhe ambalazhe të hedhura, duke krijuar një pamje skandaloze që ka alarmuar banorët dhe pushuesit e zonës.

Pas reshjeve të dendura në veri të vendit, lumenjtë janë fryrë dhe përronjtë janë mbushur me prurje të mëdha, duke sjellë në breg çdo lloj mbeturine.

Ajo që uji ka rrëmbyer gjatë rrugës, sot ka përfunduar në plazhin e Velipojës, duke e shndërruar atë në një grumbullim të madh mbeturinash.

Megjithatë, ajo që bie më shumë në sy është mungesa e reagimit nga Bashkia Shkodër.

Edhe pse pamjet e ndotjes masive janë bërë virale në rrjetet sociale prej ditësh, asnjë ekip i bashkisë nuk ka shkuar për të pastruar zonën.

Heshtja dhe mosveprimi i institucionit vendor po kritikohen ashpër, ndërsa situata po përkeqësohet çdo ditë.

Pamja e bregdetit është dëshpëruese: mbetje plastike, qese, bidona, madje edhe objekte të tjera të sjella nga prurjet e lumenjve.

Ndërkohë, ndotja është përhapur edhe në rrugët dhe hapësirat e largëta nga vijë-bregdetare, duke treguar se situata nuk është e lokalizuar vetëm në plazh.

Kjo gjendje tregon se Velipoja kujtohet nga Bashkia Shkodër vetëm gjatë sezonit turistik, kur zona gjeneron të ardhura.

Pjesën tjetër të vitit, plazhi lihet në harresë totale, duke iu ngjarë një zone të braktisur dhe jashtë çdo vëmendjeje institucionale.

Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente dhe masa konkrete për pastrimin dhe menaxhimin e mbetjeve, në mënyrë që situata të mos degradojë më tej dhe të mos dëmtojë rëndë mjedisin dhe turizmin e zonës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Më të lexuarat
Denonco