Shoqata e Bashkive dhe e të Zgjedhurve Vendorë të Shqipërisë i ka paraqitur Komisionit të Ekonomisë, Punësimit dhe Financave në Kuvendin e Shqipërisë propozimet dhe rekomandimet për projektbuxhetin 2026, me fokus rritjen reale të financimit për njësitë e vetëqeverisjes vendore.
Propozimet u paraqitën në emër të Shoqatës nga:Z. Fisnik Qosja, President dhe Z. Albert Melyshi, Zëvendëspresident
Shoqata vlerëson se procesi i hartimit të Buxhetit 2026 përbën një moment thelbësor për forcimin e autonomisë financiare të pushtetit vendor, në përputhje me Ligjin nr. 68/2017 “Për Financat e Vetëqeverisjes Vendore” dhe Ligjin nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”. Transfertat e pakushtëzuara dhe ato sektoriale duhet të garantojnë ushtrimin real të funksioneve të decentralizuara dhe të reduktojnë pabarazitë territoriale midis bashkive urbane dhe atyre rurale e malore.
Problemet aktuale që kërkojnë ndërhyrje urgjente
Shoqata vlerëson se, megjithë rritjet formale në disa zëra buxhetorë, projektbuxheti 2026 nuk përmbush nevojat reale financiare të shumë bashkive, veçanërisht:Bashkive rurale dhe malore me sipërfaqe të madhe gjeografike;Bashkive me dendësi të ulët popullsie dhe kosto të lartë shërbimesh;Bashkive që mbulojnë funksione të decentralizuara me standarde gjithnjë e më të larta dhe me kosto në rritje.
Shoqata thekson se formulat aktuale të ndarjes së transfertave nuk reflektojnë koston reale të shërbimeve, sidomos në zonat e thella dhe malore, ku infrastruktura, transporti dhe distancat rrisin ndjeshëm shpenzimet për njësi shërbimi.
Kërkesat dhe rekomandimet kyçe të Shoqatës
1. Dyfishimi i transfertës së pakushtezuar dhe sektoriale në Buxhetin 2026
Shoqata kërkon dyfishimin e fondit sektorial prej 14 801 milionë lekësh, duke theksuar se:
-Kostoja e funksioneve të decentralizuara (arsimi parashkollor, shërbimet sociale, qendrat komunitare, kultura) është rritur ndjeshëm;
-Hendeku mes kostos reale dhe financimit ka nisur që prej vitit 2016 dhe është thelluar çdo vit;
-Dyfishimi i fondit do të siguronte standarde dinjitoze të shërbimeve për qytetarët në të gjitha bashkitë.
2. Krijimi i Fondit të Veçantë për Barazi Territoriale
Shoqata propozon themelimin e një fondi të posaçëm që të adresojë realisht pabarazitë gjeografike, duke rritur peshën e kritereve:të sipërfaqes së madhe territoriale,të dendësisë së ulët të popullsisë,të kostove të mëdha të transportit dhe infrastrukturës,të zonave të thella dhe malore.
3. Rishikimi i formulës së transfertave në vitin 2027
Shoqata kërkon nisjen e një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës gjatë vitit 2026 për rishikimin e:
-koeficientëve të peshës së popullsisë, sipërfaqes dhe shërbimeve,
-metodologjisë së llogaritjes së kapacitetit fiskal, perfshi renten minerare nga 5% ne minimalisht 30% ne favor të bashkive.
-standardeve minimale të shpenzimeve për funksionet vendore.
Angazhimet e Shoqatës
Shoqata e Bashkive dhe e Zgjedhurve Vendorë angazhohet:
-të mbështesë rritjen e të ardhurave vendore përmes administrimit më të mirë, dixhitalizimit dhe zgjerimit të bazës tatimore,
-të forcojë transparencën dhe efikasitetin në menaxhimin e burimeve,
-të ofrojë ekspertizë teknike për çdo diskutim institucional mbi reformën e financave vendore.
-decentralizim dhe financim i sektorit të sektorit të furnizimit me uje dhe kanalizime etj.
Qëndrimi i Shoqatës
Rritja reale e transfertës se pakushtezuar dhe sektoriale, mbështetja e bashkive malore dhe rurale, dhe forcimi i mekanizmave të performancës nuk janë kërkesa teknike, por kërkesa politike të domosdoshme për të garantuar funksionimin e vetëqeverisjes vendore, barazinë territoriale dhe ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët.
Shoqata nënvizon se pa një rritje substanciale të financimit vendor, reformat e decentralizimit dhe zhvillimit lokal mbeten të paplotësuara.
Me respekt,
Fisnik Qosja
President
Shoqata e Bashkive dhe e të Zgjedhurve Vendorë të Shqipërisë
© SYRI.net