Fermeri nga Dimali denoncon braktisjen pas përmbytjeve: Bashkia s’po na ndihmon, lekët i fusin në xhep

19:00, 24/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një fermer nga Bashkia e Dimalit gjatë fjalës në Foltoren-Kuvendi i qytetarëve dhe deputetëve të opozitës të mbajtur para Kryeministrisë denoncoi braktisjen totale pas përmbytjeve masive që kanë goditur zonën.

Duke folur në emër të banorëve të disa fshatrave, përfshirë Tapia, Çifliku, Kozare e Goriçan, fermeri e përshkroi situatën si një "katastrofë të madhe".

Sipas tij, mbi 150 hektarë serra, pemëtore dhe kultura të tjera bujqësore, përfshirë plantacione me mandarina e portokalle, janë shkatërruar plotësisht nga uji. Dëmi ekonomik është i pallogaritshëm, ndërsa e ardhmja e banorëve e pasigurt. Akuza më e rëndë drejtohet ndaj Bashkisë Dimal, e cila, sipas denoncuesit, nuk ka ofruar asnjë ndihmë. "Bashkia s'po na ndihmon fare"

Mes dëshpërimit, fermeri shprehu ndjesinë e braktisjes dhe pashpresës, duke përdorur një gjuhë dramatike për të përçuar realitetin e tyre. "Ne nuk dimë se çfarë do bëjmë. Vetëm jemi drejt mbytjes në lumë," deklaroi ai, duke iu referuar afërsisë së lumit që kërcënon vazhdimisht jetën dhe pronat e tyre. Në denoncimin e tij nuk u kursyen as përfaqësuesit politikë.

Ai vuri në kontrast fatkeqësinë e fermerëve me sjelljen e shkujdesur të deputetëve lokalë, të cilët, sipas tij, "dalin me atlete të bardha anës lumit", dhe indiferencën e kryeministrit, i cili ndodhej në Katar. Thirrja e tij përfundimtare mbetet një pyetje pa përgjigje që peshon rëndë mbi ndërgjegjen e institucioneve: "Ne çfarë do bëjmë?"

Pjesë nga deklarata:

Unë jam i fermer nga Bashkia Dimal, përfaqësoj të gjithë fshatrat nga Tapia, Çifliku, Kozare, Urë Kuqi, Ing, Goriçan, Samaticë, edhe Kozarin. Dhe një fatkeqësi të madhe, nga zoti, nga perëndia që u mbytëm. Bashkia s'po na ndihmon fare. As kanale s'janë bërë. Fondacionet i marrin lekët i fusin në xhepat, subvencionet e fermerëve i fusin në xhep dhe ne nuk po na shikojnë fare. Mbi 150 hektarë sera të përmbytura, pemtari, frutikulturë, me mandarina, portokalle.

Është një katastrofë e madhe. Ne nuk dimë se çfarë do bëjmë. Vetëm jemi drejt mbytjes në lumë, se lumi na kalon atje afër dhe atë do bëjmë. Bashkia na ka braktisur, deputetët, dje Muhamed Zgjani del me atletet e bardha anës lumit edhe me pozë partizan, Rama durova ikën në Katar dhe takon ata andej janë. Ne çfarë do bëjmë?

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco