Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, ka folur para nisjes së Foltores së opozitës përballë Kryeministrisë.
Baçi tha se kjo Foltore bëhet pas bllokimit të krijuar në Parlament për deputetët e opozitës, si dhe që qytetarët të adresojnë hallet dhe problematikat e tyre.
Ai tha gjithashtu se kjo Foltore do të shërbejë si një pikë referimi për qytetarët, në mënyrë që në të ardhmen të kthehet në një ‘ortek’ të madh.
“Është një Foltore e organizuar nga PD. Kjo emërtesa e protestës nuk ka vend, sepse protestat organizohen në format tjetër. Është vendosur që kjo foltore të jetë e përjavshme, por më pas do të shikohet edhe në varësi të situatës," tha ai.
Kurse nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, i ftuar në studion e “Ditarit të pasdites” nga Pandi Gjata, në A2 CNN, deklaroi se opozita do ta vazhdojë gjatë atë që e quajti “platformë rezistence” para Kryeministrisë.
“Kjo është një platformë rezistence që do të vazhdojë gjatë, e cila kërkon të kompensojë zërin e opozitës në Parlament, pasi hapësira e saj është ngushtuar. Është dhe në vazhdën e atij komunikimi që një forcë politike duhet ta ketë me qytetarin. Zgjidhja politike është largimi i Ramës, një kryeministër që zv/kryeministri i është kapur në korrupsion, ministrat në korrupsion, kryebashkiakët në korrupsion, dhe nuk mund të thotë tani atë që ka thënë gjithmonë, që nuk di gjë. Edhe kur thotë kështu ka përgjegjësi ligjore, pasi dëshmon që është i paaftë për të zgjedhur personat me të cilët bashkëpunon. Kupa është mbushur. Çdo qytetar, siç është i pari i shtëpisë dhe i di të gjitha, ashtu edhe Rama i di të gjitha sa i përket qeverisë që drejton”, tha Boçi.
© SYRI.net