Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar sërish në lidhje me rrugën Qukës-Qafë Plloçë, e cila, jo vetëm për nga shifra skandaloze që ka marrë për tu ndërtuar, por vetëm 2 muaj pas inagurimit, një masiv i madh shkëmbor u rrëzua, duke e bllokuar atë.
Në postimin e tij në Facebook, Berisha ka shpërndarë një video-reagim të gazetarit Blendi Fevziu, i cili ka denoncuar se kjo rrugë, Qukës-Qafë Plloçë, është një investim galopant që nuk vlen, pasi 371 milionë euro të harxhuara prej 16 vitesh për këtë aks rrugor, kursejnë vetëm 2 minuta kohë në krahasim me rrugën ekzistuese.
‘Miq ju ftoj të ndiqni këtë video. Ndërtimi i Rrugës Qukës-Qaf Ploçë ka filluar në vitin 2009. Ajo perfundoi pas 16 vitesh. Rama-Balluku i ndryshuan projektin, rritën gjatësine e rrugës vetëm për të vjedhur dhe çmimi i saj nga 73 milionë euro me të cilin ishte prokuruar, arriti me metodën “vidh e vidh” në 370 milion euro. Përveç kësaj Sakarptet e saj lënë pa asnjë ndërhyrje përforcuese ndaj dhe shemben dhe vetëm shemben’, shkruan Berisha në Facebook.
Fevziu: Rruga e re Qukës-Qafë Plloçë u inaugurua vetëm dy muaj më parë, është shembur në një segment të saj në mënyrë të ndjeshme. Tre javë më parë e bëra për herë të parë këtë rrugë dhe kam publikuar një video që mund ta gjeni në rrjetet sociale ku shpreh habinë time se përse duhej kjo rrugë. Dhe nga se u nisa? U nisa nga fakti që nëse ti je në Qukës e sheh që deri në Qafë Plloçë nga rruga e re janë 41 km. Rruga është e njëjtë si ajo e Qukës-Qafë Thanë-Qafë Plloçë, e njëjta gjerësi, të njëjtat kthesa, ndërsa ajo që i bie nga Qafë Thana është vetëm 45 km, 4 km më shumë. Pra kjo është pak a shumë situata. Natyrisht shmang Pogradecin. Por, rruga Qukës-Qafë Plloçë ka nisur në vitin 2009 mos gaboj, pra 16 vjet më parë me idenë që do të shpenzoheshin 73 milionë euro. Më pas në vitin 2013 shkoi rreth 120 milionë euro, ndërsa në mbyllje të saj, sipas një ministri, ish-ministri të Partisë Socialiste, ka shkuar 371 milionë euro. Po pse Shqipëria duhet të shpenzonte 371 milionë euro për të fituar vetëm dy minuta më shumë? Nëse vë Google Map nga Quksi, rruga e re për Qafë Plloçë të nxjerr dy minuta më shpejt se sa rruga e vjetër. Po a e di se ç'mund të kishe bërë Shqipëria me 371 milionë euro? Mund të kishe ndërtuar një unazë të re në Tiranë, mund të kishe ndërtuar një sërë kilometrash nga Elbasani drejt Librazhdit për të hapur rrugën, ose mund të kishe bërë tunel në Qafë Thanë dhe në drejtimin tjetër, me siguri nuk do shkonin mbi 371 milionë. Ndërkohë që kjo rrugë, që ka marrë 371 milionë euro, rrezikon të shembet segmente të saj shumë shpejt. Pra është një rrugë që nuk shërbente për gjë dhe që ka një kosto, ka pasur një kosto të llahtarshme. Pse duhej ta bënte, hajde gjeje tani se ajo rrugë u bë. Por ajo që po them është që kjo rrugë nuk vlente.
© SYRI.net