Projekti i Manastirit/ Tare: Institucionet shkelën ligjin për të ndërtuar në zonë të mbrojtur në Butrint

09:47, 24/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Parku Kombëtar i Butrintit, një nga pasuritë më të rëndësishme kulturore dhe natyrore të Shqipërisë, i mbrojtur nga UNESCO dhe pjesë e listës Ramsar, po përballet me presion të shtuar nga projektet e zhvillimit turistik. Ndërkohë që projekti i debatueshëm i “Pikës së Manastirit” po avancon brenda zonës së mbrojtur, zëra nga ekspertiza e trashëgimisë flasin për plane edhe më të mëdha që rrezikojnë integritetin territorial dhe historik të parkut.

Gjatë një interviste në emisionin “Kafe Shqeto”, eksperti dhe historiani Auron Tare paralajmëroi se problemi është shumë më i thellë sesa vetëm projekti aktual.

Sipas Tares, një investigim i fundit  i vlerësuar me çmimin e parë nga Bashkimi Europian ka zbuluar se institucionet shqiptare të trashëgimisë kulturore nuk kanë arritur të mbrojnë zonën e Butrintit dhe, sipas investigimit, madje kanë lehtësuar zhvillime të paligjshme.

“Projekti i Pikës së Manastirit jo vetëm që është bërë në kundërshtim me ligjin, por institucionet përgjegjëse – si Instituti i Trashëgimisë Kombëtare dhe Ministria e Kulturës – kanë manipuluar dokumentacionin duke hequr raporte që tregonin qartësisht potencialin e lartë arkeologjik të zonës,” deklaroi Tare.

Ai shtoi se ky manipulim i dokumenteve ka hapur rrugën për ndërtimin e resortit, duke anashkaluar argumentet profesionale që do ta ndalonin projektin.

Butrinti ka qenë zonë e mbrojtur për gati 30 vjet, por presioni i interesave të zhvillimit është rritur ndjeshëm pas heqjes së rreth 500 hektarëve nga territori i parkut në vitin 2023  një vendim që u kritikua gjerësisht nga ekspertët e mjedisit dhe trashëgimisë.

Tare paralajmëron se kjo është vetëm faza e parë e një transformimi shumë më të madh:

“Flitet për një projekt edhe më të madh se Pika e Manastirit, në zonën e liqenit të Bufit dhe përgjatë lumit të Pavlës deri në Ftela, drejt kufirit me Greqinë. E gjithë kjo zonë është pasuri botërore dhe tërësisht e mbrojtur.

Tare:

Shiko, atëherë meqë juve jeni interesuar për këtë çështje, mund të them këtë që projekti i Manastirit po vazhdon me ritme të të mira, kështu që, ajo që unë doja të ndaja me ju është fakti që para një muaji dhe, me sa di unë, ju e kishit dhe në studio një nga gazetarët që ka bërë një investigim mbi çështjen e projektit të Manastirit, i cili fitoi dhe çmimin e parë nga Bashkimi Europian në Tiranë.

Tregonte një rast jashtëzakonisht interesant se si institucionet e trashëgimisë kulturore kanë dështuar të gjitha në të mbrojtur, për të parandaluar apo dhe për të mbrojtur trashëgiminë kulturore të zonës në këtë rast.

Pra, tregonte qartësisht se projekti i Pikës së Manastirit jo vetëm që është bërë në kundërshtim me ligjin, sepse është zonë e mbrojtur, por  Instituti i Trashëgimisë Kombëtare, Ministria e Kulturës, kanë, si të thuash, me koshiencë të plotë, kanë manipuluar dokumentacionin për të hequrnga raportet e mëparshme të cilat tregonin qartësisht që ajo zonë kishte potencial të lartë arkeologjik.

Sepse në këtë rast, pra heqja e këtyre dokumentacioneve, heqja e raporteve, bënte të mundur hapjen e rrugës pra për ndërtimin e rezortit. Dhe kjo mendoj unë, ishte dhe fakti që  prezenca e BE-së në Shqipëri i dha çmimin e parë investigimit për të treguar se si zhvillimet turistike po dëmtojnë në mënyrë të pakthyeshme trashëgiminë tonë kombëtare.

Në fakt duhet thënë që presioni i madh i zhvillimit turistik në zonë sigurisht po bën të mundur që zona e mbrojtur prej gati 30 vjetësh, pra zona e shpallur Park Kombëtar,

Trashëgimi Botërore, në listën e Ramsarit, tashmë po kërcënohet në mënyrë serioze. Sidomos pas heqjes së gati 500 hektarëve nga zona e mbrojtur, mos gaboj në 2023-shin, i ka hapur rrugën tashmë projekteve turistike.

Dhe ajo që flitet, dhe sigurisht do të shikojmë në të ardhmen, por flitet për një projekt ende më të madh se ky që po flasim, pra se Pika e Vogël e Manastirit, një projekt i madh i cili synohet të bëhet diku tek rreth liqenit të Bufit dhe në zonën nga lumi i Pavlës drejt Ftelesë, pra drejt kufirit me Greqinë. E gjitha kjo zonë e mbrojtur, zonë pasuri botërore, Park Kombëtar, zonë Ramsar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco