VIDEO/ Balliu: Pse nuk është hetuar Balluku më herët? Dumani u kap në flagrancë në Kuvend

21:34, 28/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ishte i ftuar në emisionin ‘A Show’ me Adi Krastën në SYRI TV, ku komentoi raportimin e drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, në Parlament.

Balliu u shpreh se, ‘ajo çfarë kuptova unë, ai ishte një njeri i kapur në flagrancë. Dumani deklaroi se, nuk kemi kohë për hetime, ai tha se ka çështje nën hetim, çështje që kanë vite nën hetim, tani kur do të merren masat.’

Gjatë bisedës me moderatorin Adi Krasta, deputeti i PD-së shtoi: ‘Unë e pyeta për Belinda Ballukun, ajo ka ‘Tigrin 1 dhe 3’, ka tunelin e Llogarasë, ka Thumanë-Kashar, fotovoltaikët, ka pafundësisht afera korruptive dhe për asnjë nga këto afera korruptive, ajo zonjë gjithë këto vite nuk është hetuar? I thashë dhe Dumanit, që edhe ju vetë keni kryer procese me fotovoltaik në SPAK me gjysmën e çmimit që i kryer Balluku. Kaq e vështirë është të kuptosh aferën korruptive.’

Balliu shtoi edhe detaje mbi aferat e inceneratorëve dhe Tigrin 1-3: ‘Çfarë ka për të vështirë, afera e ‘Tigri 1-3’, paguhen 80 mijë euro në ditë dhe nuk ndizen, paguhen njësoj si inceneratorët. Kësaj radhe nuk tha se, janë krime intelektuale, por që nuk kanë pasur kohë dhe mundësi, se nuk kemi resurse. Një njeri i kapur në flagrancë, është si ai nxënësi që shkon në shkollë i papërgatitur dhe mundohet që të gjejë justifikime nga më të ndryshmet.’

Deputeti i PD-së, Klevis Balliu përfundoi duke theksuar se, ‘fakti është se detyra që duhej të kryente, nuk e ka bërë. Ai është një institucion në mbështetje të pushtetit jo të një personi. Belinda Balluku është një person dhe rëndësia për Dumanin dhe sistemin e drejtësisë është pushteti, dhe pushteti është Edi Rama.’

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco