Kur u pyet në Kuvend për çështjen e patronazhimit, Altin Dumani dha një përgjigje që edhe Edi Rama do e kishte zili. Ai tha se ky nuk është një krim dhe se Kuvendi duhet ta klasifikojë si të tillë me ligj.
Kur e mendon se ky qëndrim vjen pasi vëzhguesit e OSBE/ODIHR deklaruan disa herë se sistemi i patronazhimit është në shkelje të standardeve ndërkombëtare të Kartës së Kopenhagenit, kjo deklaratë bëhet edhe më e rëndë.
Jo pak herë, edhe Edi Rama ka deklaruar se patronazhimi ndodh edhe në vendet perëndimore.
Por ky është një mashtrim i hapur i Edi Ramës dhe Altin Dumanit.
Po, është e vërtetë që patronazhimi ekziston edhe në vende të tjera demokratike, por në një nivel shumë të kufizuar dhe gjithmonë të mbikëqyrur nga mediat, shoqëria dhe institucionet. Asnjëherë nuk bëhet fjalë për të cenuar sadopak privacinë, liritë dhe të drejtat e njerëzve. Aq më shumë për të bërë krime.
Kurse patronazhistët e Edi Ramës janë një rrjet kriminal brutal që shkelin ligjet rregullisht, hapur dhe pa asnjë frikë nga dënimi. Ky është dallimi i madh.
Aq e madhe dhe e rrezikshme është kjo strukturë kriminale, sa ka kapur shtetin.
Por kjo nuk është gjëja më e rëndë në këtë mes.
Një nga filozofët politikë më të njohur që ka bota sot, Adam Prezeworski, thotë se të gjitha partitë kanë prirje për patronazh, klientelizëm dhe abuzim me pushtetin.
Kjo është një prirje thuajse e natyrshme e partive për të ruajtur pushtetin.
Por ka diçka që shërben si një frenë natyrore ndaj këtyre abuzimeve. Bëhet fjalë për rotacionin. “Llogaridhënia vjen jo sepse qeveria do të japë llogari, por sepse ka frikë se mund të humbasë,” thotë autori i njohur.
Rotacioni nuk është një luks moral, por një mjet thelbësor për të kufizuar dëmin e pashmangshëm të pushtetit të gjatë.
Në mungesë të rotacionit, partia-shtet rrënjoset thellë në institucione, kap administratën, gjyqësorin, median dhe nuk ndjen më asnjë pasojë për keqqeverisjen.
Madje nëse doni, edhe kur ofertat mund të duken të gjitha njësoj, rotacioni ka rëndësi, sepse vetë ndërrimi është mënyra më e mirë për të mbajtur gjallë një demokraci të sëmurë — për t’i kujtuar pushtetit se është i përkohshëm. Dhe kjo, në vetvete, është formë e fuqishme llogaridhënieje.
Altin Dumani ka ndikuar me forcë që kjo formë llogaridhënie të zhduket.
Ai ka kontribuar për të penguar rotacionin, duke bërë që edhe ajo demokraci e brishtë dhe e sëmurë të japë shpirt më 11 maj.
Studiuesit thonë se rotacioni është forma e vetme për të mbajtur qoftë edhe një presion minimal ndaj pushtetit.
Duke lejuar makinerinë e patronazhistëve dhe rrjetin e krimit të organizuar pranë Edi Ramës që të veprojë pa u ndëshkuar, Dumani dhe të tjerët kanë zhdukur rotacionin nga fjalori politik.
Ndërsa krye-patronazhisti Edi Rama shkelte ligjin hapur duke dhënë bonuse e fshirë gjoba, duke organizuar mbi 4522 evente pa ndodhur asgjë, Dumani dhe të tjerët kujdeseshin për të fshirë devizën e famshme se demokracia është një sistem ku partitë humbasin zgjedhjet.
Nga lozha e Kuvendit, Altin Dumani po përpiqej të vetëviktimizohej duke shpërndarë në media sa më shumë lajme se po e sulmojnë për shkak se po godet majtas dhe djathtas.
Kjo ishte një përpjekje për të rënë në sy të ndërkombëtarëve, për t’u treguar atyre se nuk e kanë në shënjestër për faktin se ka forcuar pushtetin e një diktatori, por sepse po bën punën.
Por vrasja e rotacionit politik në Shqipëri për llogari të Edi Ramës është dëmi i tij fatal.
Bëjnë mirë që në Bruksel t’ia kujtojnë këtë gjë kur të shkojë për të raportuar pas disa ditësh.
Mjafton që t’i vënë para raportin e OSBE/ODIHR dhe indeksin e ‘World Justice Project’.
© SYRI.net