Deputeti i Partisë Demokratike, Tomorr Alizoti, ka kërkuar në seancën e sotme parlamentare që deputetët të kenë mundësinë të drejtojnë pyetje drejtpërdrejt përfaqësuesve të institucioneve të rëndësishme që raportojnë në Kuvend, si Altin Dumani dhe Olsian Çela.
Alizoti theksoi se kjo është hera e parë në 32 vite që deputetëve u mohohet e drejta për të pyetur raportuesit, duke e cilësuar këtë si një precedent shqetësues.
“Hera e parë në 32 vite që nuk mund të pyesim raportuesit e thirrur në Kuvend. Ne duam të pyesim përfaqësuesit e institucioneve, pasi Shqipëria është Republikë Parlamentare. Kjo ndodh dhe në vendet europiane,” – deklaroi Alizoti.
Deputeti opozitar shtoi se mënyra e re e procedurës, ku pyetjet duhet të dorëzohen me shkrim dhe jo të drejtohen në sallë, dëmton transparencën dhe rolin kushtetues të Kuvendit.
“Po ndodh precedenti i dytë. Ju pse e hiqni këtë të drejtë? Ne nuk duhet t’i pyesim ata drejtpërdrejt, por do t’i dorëzojmë ato me listë. Atëherë edhe ne si deputetë të dorëzojmë dosjet tona me fjalime, dhe t’i lexoni ju,” – vijoi ai, duke kërkuar që Kuvendi të rikthejë të drejtën e pyetjeve direkte.
Alizoti përfundoi se kërkon “vetëm mundësinë për të pyetur drejtpërdrejt zotërinjtë që raportojnë në Kuvend”, duke e cilësuar këtë si një praktikë normale në çdo parlament demokratik.
© SYRI.net