Një seancë parlamentare e tensionuar ka vënë sërish përballë mazhorancën dhe opozitën, ku kjo e fundit ka akuzuar ashpër për bllokim dhe shkelje të të drejtës për të ushtruar detyrën e deputetit.
Nga foltorja e Kuvendit, një deputet i opozitës, Belind Këlliçi e cilësoi situatën si një "tallje me rregulloren, me Kushtetutën dhe me të drejtën e fjalës së deputetëve".
Fokusi i akuzës ishte mohimi i mundësisë që deputetët e opozitës t'u drejtonin pyetje drejtpërdrejt drejtuesve të lartë të institucioneve të drejtësisë të pranishëm në seancë.
Sipas deputetit, kjo praktikë është e konsoliduar dhe ka ndodhur rregullisht në vitet e kaluara. Ai iu referua procesverbaleve të viteve 2023 dhe 2024, konkretisht faqeve 15 dhe 16, ku sipas tij, dokumentohet qartë momenti kur deputetët u kanë adresuar pyetje krerëve të drejtësisë.
Duke argumentuar më tej, ai theksoi se as neni 103, pika 7 i rregullores së Kuvendit nuk specifikon që një deputet nuk ka të drejtë të bëjë pyetje. Ai solli si kundërshembull seancat në komisionet parlamentare, ku drejtues si Prokurori i Përgjithshëm dhe kreu i Prokurorisë së Posaçme u janë përgjigjur për më shumë se 10 orë pyetjeve të deputetëve të të dy krahëve politikë pa asnjë problem.
"Nuk kuptoj arsyen se përse ju doni t'i hiqni të drejtën deputetëve të këtij parlamenti t'i adresojnë pyetjet më shqetësuese që kanë sot qytetarët shqiptarë këtyre pesë drejtuesve të institucioneve më të larta të drejtësisë në vend," deklaroi ai.
Deputeti e përshkroi këtë veprim si veçanërisht problematik "në një moment kur na janë vrarë gjyqtarë nëpër salla dhe kur drejtësia në këtë vend është kthyer në padrejtësi".
Akuza u shtri edhe më gjerë, duke pretenduar se bllokimi është sistematik.
Sipas Këlliçit, prej gjashtë javësh që nga fillimi i sesionit parlamentar, mbi 95% e deputetëve të Partisë Demokratike nuk kanë pasur mundësi të flasin në foltore, pasi seancat mbyllen me shpejtësi për të kaluar në votim.
Në fund, Këlliçi bëri thirrje për lejimin e zhvillimit normal të seancës, duke respektuar të drejtën kushtetuese të deputetëve për të folur dhe përfaqësuar interesat e qytetarëve që i kanë zgjedhur.
Këlliçi: Kjo është një tallje që bëhet me rregulloren e Kuvendit e mbi të gjitha me Kushtetutën dhe me të drejtën e fjalës që kanë deputetët. Por kjo është tallje që bëhet dhe me drejtuesit e institucioneve të drejtësisë që vijnë këtu se ata as nuk janë zëdhënës, as nuk janë sekretarët e deputetëve që t'i bëjnë pyetje dhe lexojnë pyetjet e deputetëve. Se po qe po jua japim dhe fjalët atyre dhe të marrin dhe atë 38 minutëshin kohë që kemi ne si opozitë, të na lexojnë dhe përgjigjet tona, edhe fjalimet tona. Kjo që ju thoni, praktika parlamentare, është e konsoliduar në mënyrë shumë të qartë të paktën dy vjetët e fundit. Po të shihni procesverbalin e vitit 2024 dhe të vitit 2023, në faqen 15 dhe 16, keni të shkruar momentin kur deputetët fillojnë dhe i adresojnë pyetje drejtuesve të institucioneve të drejtësisë. Për më tepër, ju vetë përmendët nenin 103 pika 7 të rregullores së kuvendit, që nuk e specifikon as në manual se pyetjet nuk ka të drejtë t'i bëjë deputeti. Se në fund të ditës, për të dalë te një pyetje duhet parashtrimi dhe duhet logjika. Do duhet të ketë një logjikë për çfarë po i pyesim drejtuesit. Ndërkohë nga ana tjetër, ju përmendët me të drejtë, madje i keni këtu në llozhë, keni dy drejtuesit, Prokurorin e Përgjithshëm dhe drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme. Të dy bashkë kombinuar në komisionin e ligjeve dhe në komisionin për nismat qytetare, kanë qëndruar mbi 10 orë me deputetët e opozitës dhe të mazhorancës. Nuk kanë pasur ndonjë problem. Janë adresuar të gjitha pyetjet nga deputetët e opozitës, kanë dhënë përgjigjet e tyre kur kanë dashur, kur s’kanë dashur kanë dhënë sqarimet e tyre dhe gjithçka ka shkuar në rregull. Nuk kuptoj arsyen se përse ju doni t'i hiqni të drejtën deputetëve të këtij parlamenti t'i adresojnë pyetjet më shqetësuese që kanë sot qytetarët shqiptarë, këtyre drejtuesve, pesë drejtuesve të institucioneve më të larta të drejtësisë në vend. Në një moment kur na janë vrarë gjyqtarë nëpër salla, në një moment kur drejtësia në këtë vend është kthyer në padrejtësi, në një nocion të pranueshëm për çdo qytetar, po të dalësh dhe të bësh një anketim të thjeshtë. Ndaj, ju siç e shihni, qëndrimi ynë është i qartë. Ne duam të zhvillohet seanca. Ne kemi ardhur të përgatitur, sikundër kemi gjashtë javë që ka filluar parlamenti dhe nuk na jepet e drejta e fjalës. Asnjë nga deputetët, mbi 95% e deputetëve të Partisë Demokratike nuk kanë folur ende në foltore, se ju keni vendosur të mbyllni seancën. Në çdo seancë kaloni në votim. Ndërkohë, e vërteta është që deputetët e opozitës vijnë të përgatitur, është një punë voluminoze që kryhet dhe sigurisht ne vijmë këtu me votat e qytetarëve të opozitës dhe përfaqësojmë interesin e qytetarëve të opozitës, jo të atyre që flasin për heronjtë e fëmijëve tanë apo flasin për një drejtësi që është kthyer një levë në dorën e pushtetit për të goditur kundërshtarin politik. Ndaj, ju lutem, lejoni zhvillimin normal të kësaj seance. Siç e shihni, jemi të gjithë duke folur brenda kontureve të etikës, të rregullores, kemi ardhur të përgatitur. Jepini të drejtën kushtetuese deputetëve. Njiheni atë të drejtë që ua njeh rregullorja dhe të kalojmë seancë normale. Faleminderit.
© SYRI.net