SYRI TV/ 'Paketa e maleve' Rama shmang përgjegjësitë, akuzon kryebashkiakët për vonesat

15:48, 23/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

“Paketa e Maleve”, një premtim që qeveria e ka përdorur për të reklamuar zhvillimin e zonave rurale, është kthyer tashmë në një lumë akuzash dhe justifikimesh politike. Kryeministri Edi Rama ka hedhur fajin mbi kryebashkiakët për vonesat në zbatimin e projektit, duke i akuzuar se nuk kanë dorëzuar në kohë hartat e zonave ku pritet të realizohen investimet.

Por, ndërsa Rama kërkon të shpërndajë përgjegjësinë, realiteti në terren tregon një tjetër pamje. Vetë qeveria e tij, vetëm pak muaj më parë, shkatërroi me urdhër të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) dhjetëra bujtina në zonat malore të veriut – në Theth, Valbonë, Vermosh e Lepushë – objekte që ishin ngritur nga banorët me kursimet e tyre për të zhvilluar turizmin familjar.

Të njëjtët banorë që sot dëgjojnë premtime për fonde dhe mbështetje në kuadër të “paketës së Maleve”, janë ata që dje panë shembjen e pronave të tyre dhe shkatërrimin e ekonomive familjare.

Në këtë klimë kontradiktash, Rama tenton të zhvendosë vëmendjen, duke urdhëruar krerët e pushtetit lokal të dorëzojnë brenda tre ditësh hartat për zonat ku qytetarët kanë shprehur interes për investime. Në të njëjtën kohë, ai nuk kurseu as kritikat ndaj kryebashkiakëve të djathtë, si ata të Fushë-Arrëzit dhe Memaliajt, duke i akuzuar se janë vonuar me punët për shkak të përfshirjes në “kundërshtitë politike” pas zgjedhjeve të 11 majit.

Në thelb, “paketa e Maleve” duket më shumë si një instrument propagandistik sesa një strategji zhvillimi real për zonat malore, të cilat sot përballen me varfëri, braktisje dhe mungesë besimi tek çdo premtim qeveritar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco