Qeveria shqiptare ka kryer sërish rishikime të buxhetit duke rritur financimin për ministren virtuale “Diella” e cila po rezulton me një kosto shumë më të lartë për buxhetin nga sa u propagandua fillimisht nga kryeministri. Rritja e fondeve për “Diellën” ka bërë që të reduktohen fondet për sektorë që përballen me problematika të mëdha si Arsimi dhe Shëndetësia.
Nga Syri TV
Qeveria Shqiptare ka bërë rishikim për herë të tretë të buxhetit në një vit, ku “Diella” e cila u propagandua si mënyra për të ulur shpenzimet dhe korrupsionin në fakt po rezulton një kosto e lartë për qytetarët shqiptarë. Paratë po i jepen ministres virtuale “Diella” teksa nëpërmjet zërit buxhetor “e-qeverisja”, financimet janë duke u rritur me shpejtësi në krahasim me funksionet e tjera.
Buxheti për e-qeverisjen arriti në mbi 20.1 miliardë lekë, më shumë se 200 milionë euro. Shpenzimet për këtë zë pësuan rritje me 15% në krahasim me ndryshimet e qershorit, ndërsa në krahasim me buxhetin fillestar, fondet për e-qeverisjen u rritën me 60%.
Në ndryshimet e fundit buxhetore fondet për Ministrinë e Arsimit u shkurtuan me rreth 851 milionë lekë. Në raport me buxhetin fillestar 2025, fondet për Ministrinë e Arsimit u shkurtuan me 1 miliard lekë, rreth 10 milionë euro ose 1.6%. Kjo rënie vjen në një kohë kur sistemi arsimor përballet me nevoja të mëdha për investime.
Edhe Ministria e Shëndetësisë ka shënuar një ulje të fondeve. Ndryshimet e fundit reduktuan një shumë prej 336 milionë lekësh, një tregues i mungesës së politikave të qëndrueshme. Në raport me buxhetin fillestar, fondet për shëndetësinë u reduktuan me 0.5%.
Në të kundërt, Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës (MIE) është përfituesja më e madhe e rialokimit buxhetor, me një rritje prej mbi 6.1 miliardë lekësh. Përqendrimi i fondeve në këtë zë tregon prioritetin e qeverisë për të përshpejtuar investimet në projektet infrastrukturore.
Ndërkohë, Ministria e Bujqësisë ka përfituar një rritje modeste prej 331 mijë eurosh, ose 2%, krejt e pamjaftueshme për nevojat e sektorit.
© SYRI.net