Apeli i Gjykatës së Posaçme ka rrëzuar kërkesën e kreut të Partisë së Lirisë Ilir Meta, për zbutjen e masës së sigurisë “arrest me burg”. Ish-presidenti Meta do vazhdojë të qëndrojë në qeli, ndërsa e ka konsideruar arrestimin e tij një proces me sfond politik.
Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024. Prokuroria e Posaçme përfundoi hetimet ndaj tij dhe Monika Kryemadhit për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë dhe e dërgoi dosjen në gjykatë për t’iu nënshtruar vlerësimit në seancë paraprake.
Meta dhe deputetja Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t'i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.
Konkretisht, deputetja Kryemadhi po hetohej nga SPAK për tre akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash. Gjykata la në fuqi më 23 tetor masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj Kryemadhit, për të njëjtat vepra penale, si dhe ndaj të hetuarës Ema Çoku, për pastrim parash.
Ndërkohë ndaj Piro Xhixhos, i hetuar për korrupsion pasiv, iu zëvëndësua masa e sigurisë nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Të tre të hetuarit nën masën e sigurimit “detyrim paraqitje” urdhërohen të paraqiten një herë në muaj në zyrat e Policisë Gjyqësore të SPAK.
© SYRI.net