'Nuk u reformua drejtësia, por…'/ Ndoja: Reforma, një mjet politik për kapjen e pushtetit!

09:29, 21/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga studioja e emisionit "Kafe Shqeto", deputeti i PD Arjan Ndoja ka komentuar situatën e sistemit të drejtësisë në vend, duke e cilësuar reformën në drejtësi si një dështim të madh, e cila nuk i ka sjellë asnjë përmirësim qytetarit të zakonshëm, por ka shërbyer si një instrument politik për të goditur kundërshtarët e pushtetit.

Në analizën e tij, Ndoja hodhi dritë mbi funksionimin e Komisionit të “Nismës Qytetare”, një strukturë e re parlamentare që ai e konsideron si “produkt të rregullores së re”, por me retorikë të vjetër, të përsëritur nga mazhoranca vit pas viti pa rezultate konkrete.

Ai kritikoi edhe deputetin e PS Fatmir Xhafa, duke theksuar se pavarësisht qëndrimit të tij korrekt në komision, është fakt i hidhur që shumë prej deputetëve që votuan reformën sot pranojnë se ajo ka dështuar në ofrimin e shërbimeve reale për qytetarët.

LEXO EDHE: 'Qytetarit i është larguar shërbimi '/ Ndoja: Pushtetit ekzekutiv për të arritur qëllimet e veta i duhet një sistem gjyqësor në kolaps

Deputeti solli në vëmendje absurditetin e asaj që sot promovohet si “arritje” shkurtimi i një procesi gjyqësor me vetëm 16 ditë, ndërkohë që gjykimet vazhdojnë të zgjasin deri në 9 vite, përtej çdo limiti të arsyeshëm.

“E vërteta është se kjo reformë nuk u bë për gjyqtarët e prokurorët, por për të goditur politikanët kundërshtarë dhe për të siguruar kontroll të plotë mbi sistemin,” – deklaroi Ndoja.

 

Ai përmbylli deklaratën e tij duke paralajmëruar se nëse pushteti kap drejtësinë, atëherë çdo abuzim bëhet i lejueshëm, sepse mungon frika nga ndëshkimi dhe zëri që mund të thotë “ndal”.

Arjan Ndoja:

"Në atë Komision ai (Xhafa) merr pjesë, është një ndër kryetarët e një Komisioni të ri që u shpik me rregulloren e re, ‘Nisma Qytetare’, ku edhe nga vetë emri i përket një retorike të vitit të kaluar.

E vërteta është që zoti Xhafa ka një qëndrim korrekt në atë komision dhe nëse i keni ndjekur ato postimet që unë bëj, i kam konstatuar me keqardhje se 4 nga anëtarët e dy komisioneve të përbashkëta e kanë votuar reformën në drejtësi të gjithë së bashku, e sot e pranojnë të gjithë bashkë se kjo reformë në drejtësi ka dështuar në aspektin e sjelljes së shërbimit ndaj qytetarëve nga afër.

E nisa pak më parë dhe thashë që u përqendrua te kulti i individit, u hoqën disa njerëz, dakord, e kishin problem njerëzit. Fillova unë i pari edhe shumë të tjerë, ne ikëm, por çfarë ndodhi me shërbimin ndaj qytetarëve?

Problemi tjetër është që konsiderohet arritje që nga viti 2023–2024, KLGJ e konsideron arritje shkurtimin e procesit gjyqësor me 16 ditë.

Pra nga 9 vite që ka shkuar mesatarja (ju e dini mirë se ka edhe 12 edhe 16), tashmë në Apel ka shkuar në 7 vite procesi, për shkak të ngarkesës edhe të burimeve njerëzore.

Atëherë, çfarë ndodh?

9 vite pa 16 ditë, pra quhet arritje shkurtimi me 16 ditë i afatit 9-vjeçar, që është tej çdo limiti të arsyeshëm kohor.

Pra duhet ta dinë shqiptarët se kush është sistemi, kush është feedback-u ose produkti që solli reforma.

Dua të shtoj edhe diçka këtu,qëndrim personal, edhe politik.

Të gjithë ata që ndjekin veprimtarinë time parlamentare, duhet të them se kjo reformë në drejtësi nuk u bë për individët që ishin brenda në sistem kjo u bë për të goditur politikanët.

Një pushtet i cili do t’i kalojë përmasat e veta abuzive e të realizojë qëllimet e veta, e vetmja gjë për t’i arritur këto është që duhet të ketë një sistem gjyqësor të dobët.

Përse të dobët? Sepse janë të vetmet hallka (prokuroria dhe gjykata) që mund t’i thonë "ndal" abuzimeve të pushtetit".

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco