Drejtuesit e disa shoqatave dhe organizatave në Kosovë dhe Shqipëri dolën në një konferencë të përbashkët për mediat, duke apeluar për pjesëmarrje në tubimin e 17 tetorit në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Ata e konsideruan tribunalin të ngjashëm me sistemet autokratike në vendet e Lindjes, ndërsa heshtja e ndërkombëtarëve për një proces politik, sipas tyre, është një prerje në besë.
Drejtuesit e disa organizatave dhe shoqatave në Kosovë dhe Shqipëri kanë dalë në një deklaratë për mediat, ku bëjnë thirrje të bashkohen në tubimin mbarëkombëtar në mbështetje të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë. Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, tha se shqiptarët e Kosovës janë prerë në besë nga ndërkombëtarët përmes Gjykatës së Hagës.
Fadil Shurdha, kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së, apeloi për pjesëmarrje nga të gjitha trojet shqiptare në protestën e 17 tetorit në orën 17:00.
Kryetari i Shoqatës "Tirana", Ruzhdi Keci, tha se do të ketë pjesëmarrës nga të gjitha trevat, dhe Shqipëria, si vend pritës, duhet të bëjë punën e saj.
Kjo është protesta e tretë që organizohet kundër akuzës dhe gjykimit në Tribunalin e Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi pas asaj në Prishtinë dhe një tjetër në Hagë.
© SYRI.net