Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 22-të e protestës qytetare në Tiranë, kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama

'Favoret e Ramës për bosat e krimit', Bushkolaj: Dosja 'Aruba' zbulon fytyrën e vërtetë ...

18:56, 15/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gazetari Elkjer Bushkolaj, i ftuar sot në emisionin “Task Forcë” në Syri TV, akuzoi drejtuesin e SPAK, Altin Dumani, për heshtje të qëllimshme ndaj fenomenit të pastrimit të parave në ndërtim dhe në projektet strategjike të qeverisë.

Duke komentuar deklaratat e fundit të Dumanit për dosjen “Aruba”, Bushkolaj theksoi se kreu i SPAK shmang hetimet ndaj aferave që lidhen drejtpërdrejt me qeverinë dhe me vetë kryeministrin Edi Rama. Ai solli shembuj konkretë nga dosjet e SPAK, përfshirë lejet e ndërtimit të dhëna për persona me lidhje kriminale dhe resortet e sekuestruara, ndërsa denoncoi faktin se Dumani “nuk sheh” problemin real të vendit pastrimin e parave përmes ndërtimeve dhe investimeve të dyshimta.

Bushkolaj paralajmëroi se Task Forca e SPAK po përdoret politikisht dhe selektivisht, ndërsa dosje si ajo e Elbasanit dhe Durrësit zona me rrezikshmëri të lartë mbeten pa hetim të thelluar.

Pjesë nga deklarata:

Kur dëgjova deklaratën e Dumanit për dosjen Aruba dhe Task Forcën, më kujtua qëndrimi i tij kur u pyet në komision për dosjen 184. Ai tha se nuk e dinte fatin e kësaj dosjeje. Dosje që u publikua nga partnerët dhe nuk besoj që ka shqiptar që nuk i di personazhet e asaj dosjeje, të cilët ishin aty edhe në drejtimin e asaj seance.

Mos të harrojmë se zoti Dumani zhvilloi një vizitë në DASH dhe kryefjala e asaj vizite ishte ajo që cilësohet "ARUBA", fenomeni i pastrimit të parave të karteleve të drogës. Ndërsa kur vjen puna te Aruba, në seancën e kaluar zoti Bardhi paraqiti një dokument ku Artur Shehu, një person që ka pasur probleme me drejtësinë në këtë vend, si kreu i një organizate që vepron në SHBA dhe në BE, ka përfituar një leje ndërtimi.

Pamë edhe dosjen e fundit për tjetërsimin e pronave në Gjirin e Lalzit, ku vëllai i Rrumit të Shijakut flet qartë se ka marrë garanci nga “i gjati” për miratimin e një leje ndërtimi në zonën e Kepit të Rodonit, që është një zonë me shumë probleme për shkak të çështjes së pronësisë. Aty përmendet edhe një arkitekt Emri arkitekti i një samiti arkitektësh që u zhvillua në Tiranë, i cili prodhoi lajmin se “Tirana prodhon më shumë arkitekturë se gjysma e Europës”.

Ajo që nuk po sheh Dumani është pikërisht problemi real i vendit, që është pastrimi i parave në ekonomi. Pothuajse në të gjitha dosjet e SPAK del ky element. Del si element në dosjen e Suel Çelës, Poja-s, kryetarëve të grupeve të strukturuara kriminale që janë arrestuar gjatë këtyre viteve nga SPAK për shkak të përfshirjes në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Shumë prej tyre kanë marrë leje ndërtimi, janë arrestuar, janë liruar dhe sot vijojnë punën.

Po të lexojmë mesazhet e ambasadës amerikane, pothuajse në çdo takim që bëhet me përfaqësues të qeverisë, ka një emërues të përbashkët: lufta kundër pastrimit të parave. Pastrimi i parave është në ndërtim, në investime strategjike, në resorte.

Mjafton të shohim njoftimet e SPAK: sekuestrohet filan resort në Golem, një tjetër në Shijak. Vetë SPAK e orienton që paratë e krimit të organizuar janë investuar në këto projekte. Por këtu kemi heshtje, mosveprim. Të gjithë e dimë që prej një viti monopoli i lejeve të ndërtimit për objekte mbi 8 kate është në dorën e Ramës. Për investimet strategjike ka ndryshuar ligjin, ka marrë edhe kompetencat e kryetarëve të bashkive në gjithë vendin, dhe për të gjitha objektet mbi 8 kate lejet firmosen nga Rama dhe bashkëpunëtorja e tij, Belinda Balluku. Edhe këtu, SPAK nuk heton.

Kur vjen puna te Task Forca, ne e kemi paralajmëruar që në nisje të zgjedhjeve se disa zona janë me risk. I kemi përmendur konkretisht: Elbasani dhe Durrësi janë zona të rrezikshme. Në Durrës kemi standardin “Çyrbja”, që tregonte manualin se si operojnë grupet kriminale për të diktuar një kandidat dhe për ta mbështetur me vota që ai të dilte më i votuari i qarkut. E njëjta situatë edhe në Elbasan një nga qytetet më të përgjakura nga krimi i organizuar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco