Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 22-të e protestës qytetare në Tiranë, kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama

VIDEO/ Këlliçi: Korrupsionin e bën qeveria, por mazhoranca ndihet e qetë dhe i thurte lavde dje Dumanit

18:55, 15/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, i ftuar në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, ka komentuar raportimin e djeshëm të drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, në Komisionin e Ligjeve në Kuvend.

Këlliçi u shpreh se në vend që mazhoranca të trembet nga SPAK, ajo e lavdëron dhe e përgëzon, duke treguar sipas tij se ky institucion nuk është i pavarur, por funksionon me një axhendë politike.

‘Ka një paradoks. SPAK përveç se për të luftuar krimin e organizuar, dhe mbi të gjitha për të goditur korrupsionin. Praktikisht korrupsionin kush e kryen? E kryen zyrtari i shtetit, e kryen mazhoranca.

Dhe në vend që mazhoranca të dridhet nga SPAK kur ai vjen për të raportuar, mjafton të shikoni seancën e djeshme ku të gjithë deputetët e PS-së i thurin lavde, krenohen me SPAK dhe thonë sa mirë punon SPAK.’

Sipas Këlliçit, deputetët socialistë që duhet të ishin të shqetësuar nga veprimet e prokurorisë së posaçme, shfaqen komodë dhe krenarë për punën e saj:

‘Këta që duhet të tremben nga ky zyrtari i ‘rëndë’ që i shikon me lupë këta në veprimtarinë e tyre dhe qeverisë, këta janë komod, i thurin lavde dhe i thonë bravo për punën.’

Deputeti demokrat shtoi se pavarësisht pretendimeve të SPAK për rezultate në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, realiteti në terren është krejt tjetër.

 ‘Në të njëjtën kohë, vetë drejtuesi i SPAK, edhe pse flasin aty për arritje dhe për rritje të goditjes së krimit të organizuar dhe korrupsionit, pranojnë që thënia në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, që niveli i korrupsionit është thelluar në administratën publike shqiptare dhe tashmë është në nivel kapilar në çdo institucion, është një thënie që qëndron, pra i bie që edhe pse këta punojnë mirë, korrupsioni në këtë vend rritet dhe nuk kanë frikë njerëzit.’

Ai kujtoi se pas miratimit të reformës në drejtësi dhe krijimit të institucioneve të reja si SPAK, në vend që të frikësoheshin zyrtarët e korruptuar, janë shpikur skema të reja korrupsioni.

‘Me votimin e reformës së drejtësisë dhe lindjen e institucioneve të drejtësisë, lindën dhe skemat më të korruptuara që janë prodhuar në këto 3 dekada, ‘5D’ dhe inceneratorët.

Pra në vend që të trembeshin zyrtarët shqiptarë nga këto institucione të reja, këta morën hov, shpikën skema të reja të cilat sot mund të jenë raste studimore edhe në rajon dhe më gjerë.’

Në përfundim, Këlliçi theksoi se e gjithë sjellja e mazhorancës në raport me SPAK-un dhe veprimet selektive të këtij institucioni tregojnë mungesën e pavarësisë dhe përdorimin politik të drejtësisë.

 ‘E gjitha kjo ka ndodhur dje në komision, mjafton për të kuptuar se kemi një institucion që nuk është i pavarur, që është me axhendë politike për të goditur njërën palë, dhe njëra palë që goditet është opozita.’

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco