Kryetari i grupit Parlamentar i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, sqaroi në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, se PD dhe PS nuk ranë në dakordësi në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve që u mbajt sot, për ngritjen e dy komisioneve të posaçme për Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe asaj territoriale.
Bardhi tha se nuk ka patur asnjë dakordësi nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike mbi dy projektvendimet e propozuara nga grupi parlamentar i PS për ngritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe ngritjen e Komisionit të Reformës Administrative Territoriale.
Bardhi: Njoftim i rremë i lëshuar nga Kryetari Kuvendit lidhur me mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve.
Dua të sqaroj se nuk ka patur asnjë dakordësi nga grupi parlamentar i partisë demokratike mbi dy projektvendimet e propozuara nga grupi parlamentar i PS për ngritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe ngritjen e Komisionit të Reformës Administrative Territoriale.
Ne kemi paraqitur 3 kërkesa me këto 2 projekt vendime, së pari garantimin e barazisë reale me pozitës dhe opozitës dhe konsesusit në vendimmarje në këto komisione, së dyti ftesën dhe angazhimin të ekspertëve të OSBE/ODIHR të këshillit të Europës dhe të komisionit të Venecias në të dyja komisionet dhe së treti për fillimin e punës për reformën zgjedhore duhet të pritet edhe raporti i fundit i OSBE -ODIHR në zgjedhjet e 11 majit.
Kemi kërkuar ndryshimin e pikës 3 në projekt vendimin për reformën zgjedhore që kërkon t’i imponojë opozitës partinë e Tom Doshit si parti të të opozitës. Ndërsa grupi parlamentar i PS-së e ka specifikuar se ka 8 anëtarë në Komisionin për Reformën Zgjedhore , formulimi vijues është 8 përfaqësues të PS dhe 8 përfaqësues nga partite e tjera parlamentare.
Nga njëra anë bëjnë sikur japin barazinë në Komision mes mazhorancës dhe opozitës nga ana tjetër na diktojnë se kush është opozita. Kemi kërkuar të ruhet formati i formulimit që ka patur çdo komision i reformës zgjedhore, ku përcaktohen përfaqsues të grupeve parlamentare, pra 8 përfaqësues të grupit parlamentar të PS, 6 përfaqësues të grupit parlamentar të PD-së , 1 perfaqësues I grupit parlamentar Aleanca për ndryshim dhe një përfaqësue I grupit parlamentar të Partisë së lirisë.
© SYRI.net