Siguria në Gjykata/ Bardhi: Rama-Koçiu gënjyen publikisht, SPAK të nisë hetimet për ‘shpërdorim detyre’ me pasoja të rënda

Siguria në Gjykata/ Bardhi: Rama-Koçiu gënjyen publikisht, SPAK të nisë hetimet për ‘shpërdorim detyre’ me pasoja të rënda

15:43, 07/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi thotë se kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Brendshme, Albana Koçiu gënjyen publikisht, lidhur me garantimin e sigurisë së gjykatave në vend nga ana e Policisë së Shtetit, pas vrasjes së gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, mesditën e 6 tetorit në Tiranë.

Përmes një reagimi të gjatë në platformën sociale, Facebook, Bardhi shkruan se Rama dhe Koçiu tentuan të manipulonin opinionin e gjerë publik, mbi sigurinë në ambientet e brendshme të Gjykatës, duke shtuar se kjo është dezinformim, me qëllim mbulimin kriminal të së vërtetës për ngjarjen e rëndë.

Sipas Bardhit, gënjeshtra e Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm nuk është thjesht dizinformim apo manipulim, por një akt i lartë papërgjegjshmërie që tregon mungesën minimale të ndjeshmërisë ndaj aktit të rëndë që ka tronditur mbarë opinionin publik shqiptar dhe ndërkombëtar.

‘Sot pas tentativës për të manipuluar përgjegjësinë shtetërore të Policisë së Shtetit dhe të vërtetën për ngjarjen, Ministri i Brendshëm ka treguar papërgjegjshmëri institucionale, mungesë minimale ndjeshmërie shtetërore dhe njerëzore, që e bëjnë më urgjente se kurrë dorëheqjen nga detyra’, shkruan Bardhi në reagimin e tij.

Në përmbyllje, ligjvënësi demokrat u bëri thirrje prokurorëve të SPAK, të hetojnë rolin dhe përgjegjësitë e papërmbushura të ministrave të Brendshëm dhe drejtorëve të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit nga viti 2023 e në vijim, të cilët me mosveprimet e tyre në kundërshtim me ligjin kanë shpërdoruar detyrën me pasoja shumë të rënda siç është vrasja e një gjyqtari në krye të detyrës.

Lexo dhe: Vrasja e gjyqtarit zbulon skandalin. Qeveria e Ramës refuzoi kërkesën për më shumë policë, KLGJ: Na lanë me 1 efektiv për çdo gjykatë

Statusi

Dje pas ngjarjes së rëndë dhe tronditëse të vrasjes së një gjyqtari në sallën e gjyqit dhe në krye të detyrës, fillimisht Kryeministri dhe më pas Ministrja e Brendshme, gënjyen publikisht opinionin publik, duke fshehur rolin e Policisë së Shtetit në sigurinë e gjykatave.

Kryeministri foli për roje private, ndërsa Ministrja e Brendshme për të manipuluar opinionin e gjërë publik që shtronte me të drejtë pyetjen “se si një person i armatosur ka arritur të futet në ambientet e brendshme të gjykatës”, gënjeu publikisht duke deklaruar se Policia e Shtetit nuk ka në bazë të ligjit asnjë përgjegjësi për kontrollin e hyrje-daljeve në gjykata.

Kjo është një GËNJESHTËR!

Është dizinformim me qëllim mbulimin kriminal të së vërtetës për ngjarjen e rëndë, ku doli sheshit sesa të pasigurtë janë qytetarët, përfshirë gjyqtarët në vendin e tyre të punës, nga ikja në drejtim të paditur e Policisë së Shtetit.

Ashtu sikurse Këshilli i Lartë Gjyqësor ka bërë publike sot, sipas legjislacionit në fuqi, vendimit nr. 333, datë 28.4.2010 të Këshillit të Ministrave “Për ruajtjen dhe sigurinë e objekteve shtetërore” dhe vendimit nr. 538, datë 8.7.2020 “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurave për garantimin e rregullit e të sigurisë në gjykata dhe prokurori”, Policia e Shtetit ka përgjegjësi për sigurinë në gjykata. Për secilin profesionist, apo edhe qytetar, që ka qenë në Gjykatën e Apelit, ka konstatuar që në regjimin e hyrje – daljes ka gjithmonë prezent punonjës të Policisë së Shtetit, të cilët ushtrojnë kontroll fizik edhe për deputetët kur futen në ambientet e gjykatës, por këtë nuk e kanë bërë ndaj vrasësit.

Gënjeshta e Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm nuk është thjesht dizinformim apo manipulim, por një akt i lartë papërgjegjshmërie që tregon mungesën minimale të ndjeshmërisë ndaj aktit të rëndë që ka tronditur mbarë opinionin publik shqiptar dhe ndërkombëtar.

Akoma më e rëndë bëhet neglizhenca në kryerjen e detyrës së Policisë së Shtetit, kur shikon sot korrespondencën zyrtare midis Këshillit të Lartë Gjyqësor – Policisë së Shtetit – Ministrisë së Brendshme. Këshilli i Lartë Gjyqësor i kërkon Policisë së Shtetit të zbatojë ligjin dhe të marrë masa për të garantuar sigurinë në gjykata për shkak të shtimit të rasteve të kërcënimit të gjyqtarëve në kryerjen e detyrës, dhe me papërgjegjshmërinë më të madhe, Ministri i Brendshëm dhe Policia e Shtetit refuzojnë të përmbushin përgjegjësinë ligjore me argumentin “nuk kemi burime të mjaftueshme njerëzore”.

Manipulimi i të vërtetës nga Ministri i Brendshëm vijonte edhe më tej, kur deklaronte se Policia e Shtetit ka ndërhyrë menjëherë dhe ka arrestuar autorin. Pamjet e bëra publike sot nga media, provonin krejtësisht të kundërtën. Ishte autori i këtij krimi të rëndë që thërriste punonjësit e Policisë së Shtetit që ta arrestonin. Pra nuk ishte ndërhyrja e Policisë, por vetëdorëzimi, që çuan në arrestimin e autorit.

Deri dje ishim në përgjegjsinë politike që kishte Ministri i Brendshëm për sigurinë në gjykata. Sot pas tentativës për të manipuluar përgjegjësinë shtetërore të Policisë së Shtetit dhe të vërtetën për ngjarjen, Ministri i Brendshëm ka treguar papërgjegjshmëri institucionale, mungesë minimale ndjeshmërie shtetërore dhe njerëzore, që e bëjnë më urgjente se kurrë dorëheqjen nga detyra.

Apeloj prokurorët e SPAK që të hetojnë rolin dhe përgjegjësitë e papërmbushura të ministrave të Brendshëm dhe drejtorëve të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit nga viti 2023 e në vijim, të cilët me mosveprimet e tyre në kundërshtim me ligjin kanë shpërdoruar detyrën me pasoja shumë të rënda siç është vrasja e një gjyqtari në krye të detyrës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco