Vrasja e gjyqtarit zbulon skandalin. Qeveria e Ramës refuzoi kërkesën për më shumë policë, KLGJ: Na lanë me 1 efektiv për çdo gjykatë Drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda në Gjykatën e Apelit, 7 tetor 2025

Vrasja e gjyqtarit zbulon skandalin. Qeveria e Ramës refuzoi kërkesën për më shumë policë, KLGJ: Na lanë me 1 efektiv për çdo gjykatë

13:55, 07/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Vrasja, një ditë më parë, në sallën e gjyqit e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Tiranës, Astrit Kalaja ka nxjerrë zbuluar mënyrën skandaloze si dështoi mekanizmi i sigurisë që duhej ta parandalonte.

Këshilli i Lartë Gjyqësor informon se, në të gjitha gjykatat e Republikës së Shqipërisë, Policia e Shtetit aktualisht ofron shërbimin e saj vetëm një punonjës në hyrjen kryesore ku lëvizin palët dhe publiku. Pra të paktën prej 2023 për secilën gjykatë u është vënë në dispozicion vetëm 1 polic. 

Ndërkohë që në zbatim të pikës 2 të VKM Nr. 333, datë 28.04.2010, “Për ruajtjen dhe sigurinë e objekteve shtetërore”, gjykatat duhet të ruhen nga punonjës të Policisë së Shtetit, për të garantuar rendin dhe qetësinë gjatë seancave gjyqësore. Jashtë orarit zyrtar, ruajtja kryhet nga “Illyrian Guard”, e cila është një kompani shtëtërore në varësi të Ministrisë së Mbrendshme.

Këshilli i Lartë Gjyqësor u mblodh sot (7 tetor 2025 ) në mbledhje të Jashtëzakonshme, për të shqyrtuar rrethanat e ngjarjes dhe për të analizuar masat aktuale të sigurisë në gjykata. Në përfundim të mbledhjes, Këshilli vendosi të bëjë publike të gjitha shkresat dhe korrespondencën zyrtare që ka zhvilluar me institucionet përgjegjëse për garantimin e sigurisë në ambientet gjyqësore, me qëllim transparencën dhe informimin e publikut. 

Nga korrespondenca vërtetohet se qeveria ka injoruar mbrojtjen edhe pas kërcënimit të 3 gjyqtareve të Apelit, Valdete Hoxha, Lutfie Çelami dhe Edlira Petri, në 2023, kur dhanë vendimin e dënimit për 5 persona që u shpallën fajtorë për vrasjen e mbetur në tentativë të Inez Hajrullës në Vlorë.
KLGJ i ka shkruar dy letra Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme për shtimin e numrit të policëve në sallat e gjyqit, por përgjigjia e kthyer nga Policia ishte se kishin personel të limituar.

Në dispozicion të medias është vënë letërkëmbimi me policinë i muajit dhjetor 2023, për të cilin ishte në dijeni dhe Ministria e Brendshme ku ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se mungesa e prezencës efektive të policisë në sallat e gjyqit krijon risk serioz për sigurinë e gjyqtarëve, stafit dhe publikut. 

"Në përgjigje, me shkresën nr. 9683/3 Prot., datë 11.12.2023, Policia e Shtetit ka njoftuar se “aktualisht e kemi të pamundur shtimin dhe planifikimin e punonjësve të policisë për sigurimin e ambienteve të brendshme të gjykatave dhe gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore, për shkak të limitit të kufizuar të personelit policor”.

Pas kësaj përgjigjeje, Këshilli i Lartë Gjyqësor, me shkresën nr. 5489/3 Prot., datë 15.12.2023, i është drejtuar zyrtarisht Ministrisë së Brendshme, duke kërkuar ndërhyrje urgjente:

“Duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit të kërcënimeve ndaj gjyqtarëve, si pasojë e ushtrimit të detyrës, kërkojmë marrjen e masave për shtimin e organikës dhe planifikimin e punonjësve të Policisë së Shtetit për sigurimin e ambienteve të brendshme të gjykatave dhe prezencën e tyre gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore publike.”

Por nuk ka marrë përgjigje.

Në këtë mënyrë KLGj nxjerr zbuluar ministren e Brendshme e cila me reagimin djeshëm skandaloz lau duart nga vrasja duke deklaruar se policia nuk kishte përgjegjësi.

Reagimi skandaloz/ Ministrja e Brendshme ‘lan duart’ nga vrasja e gjyqtarit: Policia nuk ka përgjegjësi

Gjyqtari Astrit Kalaja u vra në sallën e gjyqit në gjykatën e Apelit në Tiranë nga  Elvis Shkambi, i cili plagosi dhe babe e bir palë në proces. Policia ka arrestuar Elvis Shkambin, xhaxhain e tij, Gjon Shkambi dhe Banush Koxhajn, 63-vjeçar me detyrë punonjës sigurie pranë Gjykatës së Apelit Tiranë i akuzuar për shpërdorim detyre. 

Njoftimi

Këshilli i Lartë Gjyqësor shpreh edhe njëherë dhimbjen më të thellë dhe indinjatën më të madhe për ngjarjen tragjike të ndodhur, ku në ushtrim të detyrës, gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën brenda sallës së gjyqit.

Ky akt i rëndë përbën një sulm ndaj vetë themeleve të drejtësisë, ndaj autoritetit të gjykatës dhe ndaj rendit kushtetues të Republikës së Shqipërisë.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, në emër të gjithë trupës gjyqësore të vendit, shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes, kolegëve dhe komunitetit të gjyqtarëve, duke theksuar se drejtësia nuk mund të gjunjëzohet nga dhuna.

Në këtë situatë të rëndë, Këshilli i Lartë Gjyqësor u mblodh sot në Mbledhje të Jashtëzakonshme, për të shqyrtuar rrethanat e ngjarjes dhe për të analizuar masat aktuale të sigurisë në gjykata.

Në përfundim të mbledhjes, Këshilli vendosi të bëjë publike të gjitha shkresat dhe korrespondencën zyrtare që ka zhvilluar me institucionet përgjegjëse për garantimin e sigurisë në ambientet gjyqësore, me qëllim transparencën dhe informimin e publikut.

Këshilli i Lartë Gjyqësor informon se, në të gjitha gjykatat e Republikës së Shqipërisë, Policia e Shtetit aktualisht ofron shërbimin e saj vetëm me një punonjës në hyrjen kryesore ku lëvizin palët dhe publiku.

Në zbatim të pikës 2 të VKM Nr. 333, datë 28.04.2010, “Për ruajtjen dhe sigurinë e objekteve shtetërore”, gjykatat duhet të ruhen nga punonjës të Policisë së Shtetit, për të garantuar rendin dhe qetësinë gjatë seancave gjyqësore. Jashtë orarit zyrtar, ruajtja kryhet nga “Illyrian Guard”, e cila është një kompani shtëtërore në varësi të Ministrisë së Mbrendshme.

Duke vlerësuar se gjykatat janë objekte të një rëndësie të veçantë, Këshilli ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se mungesa e prezencës efektive të policisë në sallat e gjyqit krijon risk serioz për sigurinë e gjyqtarëve, stafit dhe publikut.

Me shkresën nr. 5489/1 Prot., datë 02.11.2023, drejtuar Policisë së Shtetit dhe për dijeni Ministrisë së Brendshme, Këshilli ka kërkuar shtimin e punonjësve të Policisë së Shtetit në ambientet e brendshme të gjykatave dhe sallave të gjykimit gjatë zhvillimit të seancave.

Në përgjigje, me shkresën nr. 9683/3 Prot., datë 11.12.2023, Policia e Shtetit ka njoftuar se “aktualisht e kemi të pamundur shtimin dhe planifikimin e punonjësve të policisë për sigurimin e ambienteve të brendshme të gjykatave dhe gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore, për shkak të limitit të kufizuar të personelit policor”.

Pas kësaj përgjigjeje, Këshilli i Lartë Gjyqësor, me shkresën nr. 5489/3 Prot., datë 15.12.2023, i është drejtuar zyrtarisht Ministrisë së Brendshme, duke kërkuar ndërhyrje urgjente:

“Duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit të kërcënimeve ndaj gjyqtarëve, si pasojë e ushtrimit të detyrës, kërkojmë marrjen e masave për shtimin e organikës dhe planifikimin e punonjësve të Policisë së Shtetit për sigurimin e ambienteve të brendshme të gjykatave dhe prezencën e tyre gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore publike.”

Në këtë moment të rëndë për sistemin e drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor apelon për përgjegjësi të menjëhershme institucionale nga organet ligjzbatuese dhe ekzekutive, për të garantuar sigurinë fizike të gjyqtarëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në proceset gjyqësore.

Ngjarje të tilla nuk mund të trajtohen si raste të izoluara, ato kërkojnë reagim të fortë, sistematik dhe të koordinuar, në mënyrë që të mos përsëritet më kurrë një humbje jete në sallën e gjyqit, vendi ku drejtësia duhet të mbrohet, jo të rrëzohet.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco