Lëvizja Vetëvendosje kryeson zgjedhjet e treta parlamentare radhazi brenda pak më shumë se një viti në Kosovë, por rezultati aktual nuk garanton zgjidhjen e ngërçit politik që ka shoqëruar vendin gjatë muajve të fundit.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë për SYRI TV nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Prishtinë, gazetarja Albionë Zhitia tha se, me rreth 91 për qind të kutive të votimit të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje renditet e para me afërsisht 43 për qind të votave. Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës me rreth 21 për qind, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës me rreth 18 për qind, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar rreth 7 për qind të votave.
Sipas Zhitisë, krahasuar me zgjedhjet e mëparshme, Vetëvendosje ka shënuar rënie, ndërsa LDK-ja ka regjistruar rritje të ndjeshme të mbështetjes elektorale. Ajo theksoi se rezultati përfundimtar mund të pësojë ndryshime pas numërimit të votave të diasporës, votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta.
Gazetarja vlerësoi se Vetëvendosje mund të arrijë të formojë qeverinë me mbështetjen e pakicave joserbe, por jo të sigurojë numrat e nevojshëm për zgjedhjen e presidentit. Për këtë arsye, partia fituese mund të detyrohet të kërkojë një marrëveshje me partitë e tjera parlamentare ose vendi mund të përballet sërish me zgjedhje të reja.
Duke komentuar skenarët e mundshëm paszgjedhorë, Zhitia tha se një marrëveshje ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së do të ishte një nga opsionet më logjike për tejkalimin e krizës institucionale, përfshirë edhe mundësinë e mbështetjes së Vjosa Osmanit për një mandat të ri presidencial. Megjithatë, ajo nënvizoi se deri tani nuk ka sinjale të forta që palët janë të gatshme për një kompromis të tillë.
Ndërkohë, Zhitia e cilësoi si rezultat të rëndësishëm edhe performancën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës nën drejtimin e Ardian Gjinit, duke theksuar se partia ka arritur jo vetëm të kalojë pragun zgjedhor, por edhe të sigurojë një rol potencialisht vendimtar në procesin e formimit të institucioneve.
Sipas saj, edhe në rast se Vetëvendosje arrin të formojë qeverinë, ajo do të mbështetet në një shumicë minimale parlamentare, duke e bërë ekzekutivin të ndjeshëm ndaj sfidave politike dhe negociatave që pritet të dominojnë skenën politike kosovare në javët dhe muajt në vijim.
© SYRI.net