Ekspertja e çështjeve ekonomike Meri Lika, e ftuar në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, komentoi emërimin e ish-ambasadores amerikane Yuri Kim në një post të lartë pranë kompanisë energjetike ‘Exxon’.
Sipas saj, ky është një shpërblim për shërbimet që Kim i ka bërë qeverisë së Edi Ramës.
‘Shpërblimi që Yuri Kim ka marrë. Ajo ka reklamuar dhe e ka pranuar edhe vetë që ka bërë një luftë të madhe, që të përzgjidhej Shqipëria për këto dy ‘hijet’ që kemi ne në Vlorë. Madje kemi qenë në luftë edhe me Gjermaninë dhe e mundëm me mbështetjen e saj të madhe, dhe arritëm t’i merrnim këta dy prodhuesit e mëdhenj të energjisë,’ tha Lika.
Sipas saj, ambasadorja ka vepruar duke pasur parasysh fundin e mandatit të saj dhe mungesën e mbështetjes nga administrata Trump.
‘Ambasadoresha e ka ditur se, do të ishte nga administrata Trump dhe nuk do të kishte të ardhme, kështu që zgjodhi të gjejë mënyrën e saj më të mirë, po ashtu si McGonigali dhe të tjerë që përgatisnin rrugën për kur të largoheshin nga karrigia.’
Lika e akuzoi Yuri Kim dhe figura të tjera të administratës amerikane në Tiranë për qëndrime në favor të qeverisë dhe kundër opozitës.
‘Këta janë të gjithë figura që kanë punuar kundër opozitës, kanë punuar kundër demokracisë shqiptare dhe kanë qenë gjithmonë në mbrojtje të pushtetit të ndërtuar nga Edi Rama dhe i kanë shërbyer atij. Si shpërblim, Rama u ka dhënë koncesionet e tyre, që do t’i përdorin kur të largohen nga karriget e tyre, siç edhe ndodhi sot.’
Ekspertja e ekonomisë e shprehu në mënyrë të drejtpërdrejtë reagimin e saj ndaj lajmit për emërimin e Yuri Kim tek ‘Exxon’.
‘Kur e lexova u habita në fillim dhe shkruajta në mënyrë agresive. Ne kemi disa lloj qensh që ne i quajmë laro, të cilët rrijnë pas dikujt që u hedh kocka. Këtë pamje më dha sot emërimi i Yuri Kim. Ajo punoi, qëndroi pranë Edi Ramës që në fund të merrte këtë kockën e saj.’, tha ndër të tjera ekspertja Meri Lika në SYRI TV.
© SYRI.net