Pas tre ditësh terror dhe raprezalje ndaj televizionit News24, gazetarët dhe Shoqëria Civile kane dale në protestë para godinës së bllokuar nga Policia Ushtarake me një akt arbitrar, pa pritur vendimin e gjykatës.
Gazetari Osman Stafa u shpreh se janë 230 punonjës që prej 3 ditësh nuk hyjnë në zyrat e tyre.
Ai theksoi se News24 i ka hapur dyert çdo problematike të qytetarëve dhe ka denoncuar ngjarjet korruptive në vend. Stafa theksoi se zgjedhja e godinave ku ndodhet News24 dhe Panorama TV ishte e qëllimtë për ngritjen e fabrikës së armëve.
“News24 prej 3 ditësh nuk transmeton. Janë 230 punonjës që prej 3 ditësh nuk hyjnë në zyrë. Gazetari nuk ka armë në dorë, por mikrofon. I ka hapur dyert cdo problematike të qytetarëve, News24 ka denoncuar moment pas momenti edhe ngjarjet korruptive që janë të shumta në Shqipëri. Kjo është e qëllimtë, po ndodh sepse News24 nuk qëndron në linjën që qeveria kërkon. Me një vendim pa paralajmërim gjendemi përballë faktit të kryer dilni jashtë”, tha ai.
Pjesë nga deklarata:
Prej tre ditësh është mbyllur transmetimi në Focus Media Group. I është ndërprerë sinjali pa asnjë vendim gjykate, në mënyrë të paligjshme. Të gjithë jemi dëshmitarë të asaj që ka ndodhur deri më tani, pa asnjë lloj vendimi. Pretendohet se ekziston një vendim, por në asnjë moment nuk është publikuar, i cili të faktojë dhe të vërtetojë atë që është bërë në këto dy godina.
Janë rreth 230 gazetarë, punonjës të medias, operatorë, teknikë dhe staf administrativ që prej 3 ditësh nuk mund të hyjnë në ambientet e punës.
Gazetari nuk ka armë në dorë, ai ka vetëm mikrofon në dorë kjo është “arma” e gazetarit. Një mikrofon dhe një kamerë, dhe megjithatë nuk kemi bërë asgjë që të justifikojë sjelljen e ushtrisë dhe policisë. Sikur në News24 po ushtrohet ndonjë akt kriminal!
Është televizioni që i ka hapur dyert çdo problematike të shqiptarëve. Në 25 vitet e fundit, shqiptarët kanë sjellë problemet e tyre në godinën pas së cilës sot i është mbyllur sinjali.
News24 ka denoncuar të gjitha ngjarjet korruptive që janë të shumta në Shqipëri. Sot, News24 përballet jo me respektimin e ligjit, por me një sulm të hapur.
Janë 1,200 fabrika dhe reparte ushtarake, dhe vetëm disa metra më tej ndodhet një tjetër fabrikë, e cila është dhënë për restorante. Nga 1,200 repartet ushtarake, u zgjodh pikërisht ky vend për të krijuar një repart ushtarak.
Kjo është e qëllimshme dhe nuk ka të bëjë aspak me respektimin e ligjit.
© SYRI.net