Avokatja Adriana Kalaja, në një deklaratë për media jashtë ambienteve të SPAK-ut, ka denoncuar publikisht çiftin kryeministror, Edi dhe Linda Rama lidhur me grabitjen e tokës në Surrel, duke ngritur shqetësime të thella për mënyrën se si po trajtohet kjo çështje nga organet e drejtësisë.
Ajo ka theksuar shkeljet e procedurave ligjore, veçanërisht mosrespektimin e afateve të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale, si dhe mungesën e transparencës nga ana e gjyqtares së shkallës së parë, e cila ende nuk ka bërë të ditur vendimin e saj lidhur me mosfillimin e hetimit penal.
Në fjalën e saj, Kalaja ka kritikuar ashpër institucionet për mosveprimin ndaj provave të shumta që sipas saj tregojnë përfshirjen e kryeministrit dhe të tjerëve në veprime të dyshimta penale, duke kërkuar rikthimin e kallëzimit penal për regjistrim dhe nisjen e hetimeve të plota.
"Ne do i shkojmë kësaj çështjeje deri në fund e unë do i them publikisht se është sërish rasti për të parë ata se si SPAK nuk është ngritur për të hetuar korrupsionin apo krimin, por me këtë rast dëshmoi se është një armë e fortë në duart e Ramës për të bërë veprime korruptive deri te blerje e zgjedhjeve dhe ne si forcë politike duhet ta ngremë zërin"-theksoi Kalaja.
Adriana Kalaja:
"Ndërkohë që kallëzimi penal për çiftin kryeministror, Edi dhe Linda Rama lidhur me grabitjen e tokës në Surrel është bërë në Shtator të 2024, dhe publiku me këtë rast duhet të dijë se Kodi i Procedurës Penale përcakton në mënyrë taksatike afatin 15 ditor për vendimmarrjen e mosfillimit të procedimit penal.
Në rastin konkret, kjo prokurore në shkelje të plotë të detyrës ligjore e kushtetutës ka marrë si afat 15 ditor, afatin kur dosja i ka ardhur nga gjykata e shkallës së parë nga gjyqtarja, Irena me 3 mbiemra, e cila edhe kjo në kundërshtim me ligjin edhe sot e kësaj dite nuk na e ka vënë në dispozicion këtë vendim dhe nuk dimë se çfarë arsyetimi ka marrë gjyqtarja Irena Gjoka, lidhur me grabitjen e pronës së Surrel.
Pronë kjo, e cila përveç që është pronë publike, ka qenë në zonë të mbrojtur nga ana tjetër kemi vërtetuar se grabitja e kësaj prone ka bërë që të denoncuarit nga ana tjetër kanë shpërdoruar dhe konsumuar veprat penale ,për të cilat ne i kemi kallëzuar.
Ndaj sot unë i bëj sërish thirrje Gjykatës së Shkallës së Parë të pranojë ankimin tonë, të kthejë për regjistrim këtë kallëzim penal pasi së pari në aspektin procedural janë shkelur afatet dhe nuk mund të kemi vendimmarrje me mosfillim të hetimit, e nga ana tjetër provat të cilat i janë bashkangjitur kallëzimit tonë penal tregojnë konsumimin e veprave penale nga kryeministri Rama, bashkëshortja e tij dhe personat e tjerë përgjegjës.
Ne do i shkojmë kësaj çështjeje deri në fund e unë do i them publikisht se është sërish rasti për të parë ata se si SPAK nuk është ngritur për të hetuar korrupsionin apo krimin, por me këtë rast dëshmoi se është një armë e fortë në duart e Ramës për të bërë veprime korruptive deri te blerje e zgjedhjeve dhe ne si forcë politike duhet ta ngremë zërin".
© SYRI.net