Erion Veliaj merret i pandehur për korrupsion e pastrim parash, reagojnë avokatët ndërkombëtarë të kryebashkiakut

Erion Veliaj merret i pandehur për korrupsion e pastrim parash, reagojnë avokatët ndërkombëtarë të kryebashkiakut

18:26, 23/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Avokatët ndërkombëtarë kanë thënë se tashme kanë në dorë dosjen e dorëzuar nga ana e prokurorisë së posaçme dhe se mund të nisin të shqyrtojnë provat. Reagimi i avokatëve u postua në facebookun e Veliajt. 

SPAK mori sot zyrtarisht të pandehur kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliajn me akuzën e korrupsionit, pastrim të parave dhe fshehje të pasurisë. Akuzat Veliajt iu komunikuan nga Agjentët e BKH në paraburgimin e Durrësit, ku kryebashkiaku qëndron në qeli prej 10 shkurtit të këtij viti. Organi i Akuzës ka kërkuar kohë shtesë për hetime të tjera ndaj Veliajt të cilat do të zgjaten deri në 24 shtator. Ndërkohë bashkëshortës së tij, Ajola Xoxës akuzat për pastrim parash dhe fshehje pasurie iu komuniku në zyrat e SPAK  në prani edhe të avokatit të saj Maks Haxhiaj.

 

 

Reagimi i avokateve 

Sot, 163 ditë pas ndalimit të z. Erion Veliaj, rezultatet e hetimit të zgjatur nga SPAK i janë dorëzuar nga ana e prokurorisë së posaçme. Avokatët e z. Veliaj mund të nisin tashmë shqyrtimin e provave të çështjes, të kundërshtojnë qëndrimin e SPAK-ut ndaj tij dhe të paraqesin prova në mbështetje të mbrojtjes.

Z. Veliaj i mohon në mënyrë të prerë të gjitha akuzat për shkelje të ligjit. Ne mbetemi në bindjen se vijimi i ndalimit të z. Veliaj është i paarsyeshëm, i panevojshëm dhe joproporcional. Kemi shqetësime serioze se kërkesat e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) nuk janë respektuar në rastin e tij. Fatkeqësisht, prej gati 3 muajsh, z. Veliaj është penguar të ketë akses te avokatët e tij ligjorë ndërkombëtarë, gjë që cenon seriozisht aftësinë e tij për të ushtruar të drejtat që i garanton KEDNJ-ja.

Si një funksionar i zgjedhur në mënyrë demokratike, të cilit i është pamundësuar ushtrimi i mandatit, është thelbësore që SPAK të ketë vlerësuar domosdoshmërinë e vazhdimit të ndalimit të tij. Deri më sot, nuk ka asnjë provë që kjo është bërë.

Jemi thellësisht të shqetësuar për mënyrën se si është zhvilluar hetimi. Së fundmi, detaje në lidhje me përfundimin e hetimit dhe raportin e Prokurorisë janë rrjedhur në mediat shqiptare. Kjo rrjedhje informacioni është në përputhje me trajtimin që i është bërë z. Veliaj që prej ditës së arrestimit, ku të dhëna paragjykuese mbi hetimin e SPAK-ut janë publikuar vazhdimisht në hapësirën publike. Nga informacionet e marra prej avokatëve të tij vendas, kuptojmë se këto rrjedhje përbëjnë shkelje të sekretit hetimor sipas legjislacionit shqiptar.
Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtësisht me ekipin ligjor vendas të z. Veliaj dhe të ndjekim çdo mjet ligjor të mundshëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Tags

Denonco