Në një reagim ndaj një vendimi të fundit të Bashkisë së Korçës, kandidatja e Partisë Demokratike për qarkun, Ledina Alolli ka ngritur zërin kundër asaj që ajo e cilëson si një tjetër akt të kapjes së pronave publike nga klientela qeveritare.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ajo denoncon vendimin për t’i dhënë Korporatës së Investimeve Shqiptare të drejtën për të zhvilluar projektin “Rijetëzimi i stadiumit Skënderbeu dhe zonës urbane përreth tij”, duke e cilësuar këtë si një ndër vendimet më të errëta dhe të padiskutuara me qytetarët që prekin identitetin urban të Korçës.
Ajo cilëson se, projekti është përdorur për interesa klienteliste dhe jo për zhvillim real të qytetit.
Postimi i plotë:
"Ram'vestimi strategjik" mbërrin në Korçë!
Bashkia e Korçës sot ka vulosur dhënien e pronave publike klientëve të rradhës së qeverisë. Me urdhër të kryeministrit Rama, Këshilli Bashkiak i Korçës ka miratuar si përfaqësues dhe negociator kryesor për zhvillimin e projektit, "Rijetëzimi i stadiumit Skënderbeu dhe zonës urbane rreth tij", Korporatën e Investimeve Shqiptare.
Fillimi i kësaj historie grabitjeje ishte 2 maji 2023, ku mes 3 kompanive, studioja daneze "Cebra Architecture" u shpall fituese për zhvillimin e këtij projekti. 12 ditë para zgjedhjeve drejtuesi i pare i një narko-shteti evropian deklaronte se ky ishte një projekt ambicioz, që mundësonte zhvillimin e kampionatit evropian për të rinjtë në vitin 2025 në Shqipëri.
Si çdo mashtrim "rilindas", koha kaloi dhe asgjë nuk ndodhi. Ndërkohë Fondi Shqiptar i Zhvillimit mori përsipër ndërtimin e Pallatit të Sportit "Tamara Nikolla", teksa deklaroi se nuk kishte fonde për vazhdimin e projektit të ndërtimit të stadiumit.
Kjo ka qenë pikërisht ura e lidhjes mes pronave publike të Korçës dhe "Korporatës së Gllabërimit të Shqipërisë". Me një vendim unanim të Këshillit të Ministrave KISH mori të drejtën e zhvillimit.
Ditën e sotme me urdhër të prerë këshilltarët bashkiakë kanë vendosur tjetërsimin e një nga zonave më identitare të qytetit. Në një nga vendimet më të rëndësishme për qytetin dhe zhvillimin e tij, qytetarët nuk janë pyetur njëherë të vetme për mendimin e tyre, teksa ky projekt mbulohet "nga retë e zeza" të mostransparencës së plotë.
Ky projekt klientelist nuk ka për qëllim modernizimin e stadiumit, por ndërtimin e të paktën 2 hoteleve luksoze, 1 qëndre tregtare dhe disa godinave biznesi, të cilat do i përkasin oligarkëve të Ramës dhe jo qytetarëve të Korçës.
Partia Demokratike kundërshton hapur këtë vendim arbitrar të pushtetit lokal si mashë e qeverisë dhe që dëmton rëndë interesat e qytetarëve të Korcës dhe bie ndesh me identitetin arkitekturor të qytetit tonë.
© SYRI.net