Me mijëra qytetarë u mblodhën në ditën e 13 të protestave qytetare me kërkesën për dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama. Pas 3 orëve protestë e fjalime poshtë dritares së kryeministrit, mijëra protestues vijuan marshimin nëpër rrugët e Tiranës duke thirur në kor: Rama jepe dorëheqjen!
Marshimi në sheshet kryesore nuk ndalet dhe vijon edhe tani në orën 23:00 (12 qershor).
Protestuesit i bëjnë thirrje qytetarëve të bashkohen me ta dhe premtojnë se nesër do të jenë dhe më shumë. Protesta është tepër qytetare dhe paqësore, karakterizohet nga të rinj e të reja, por dhe familjarë të cilët zgjedhin që të marrin dhe fëmijët me vete.
Protesta para kryeministrise
Në orën 18:00 me thirrjen për dorëheqjen e qeverisë socialiste dhe kryeministrit Rama mijëra qytetarë vijuan për ditën e 13-të protestën e tyre. Si zakonisht ata marshojnë fillimisht nga sheshi 'Skënderbej' dhe më pas pozicionohen para godinës së kryeministrisë. Teksa folësit në fjalimet e tyre kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama janë regjistruar disa incidente me protagonistë, patronazhistët e Partisë Socialiste. Kanë qënë këta të fundit të cilët, sapo mbaroi antimitungu i Edi Ramës, u janë afruar në mënyrë provokative qytetarëve protestues, duke ofenduar qytetarët që po protestonin për ditën e 13 rradhazi.
Në videot e siguruara nga Syri TV tregohet se si persona të identifikuar si mbështetës së qeverisë, u janë afruar qytetarëve me thirrjet “Rroftë Edi Rama”. Më tej provokatorët janë larguar menjëherë me vrap, pasi turma iu është kundërpërgjigjur ofendimeve dhe provokimeve të tyre.
Protesta ka vijuar gati 3 orë përpara Kryeministrisë, ku është kërkuar në mënyrë të vazhdueshme dorëheqja e Edi Ramës dhe qeverisë së tij. Më pas qytetarët kanë nisur marshimin e tyre në pikat kryesore të kryeqytetit, duke bërë thirrje për tu bashkuar me protestën e të shtunës, që pritet të jetë më e madhja e zhvilluar deri më tani.
Ndërkohë protestat anti-qeveritare kanë vazhduar për të disatën ditë me rradhë edhe në Vlorë, Korce, Gjirokastër dhe qytete të tjera.
© SYRI.net