Kryeministri Edi Rama ka mobilizuar administratën e shtetit në një antimiting që përkon me 35 vjetorin e ndërrimit të emrit të Partisë Socialiste në një kohë që vendi prej 13 ditësh është përfshirë nga protestat antiqeveritare që kërkojnë dorëheqjen e shefit të qeverisë.
Shqetësimi për përmasat që ka marrë lëvizja qytetare dukej qartë në fjalimin e Kryeministrit Rama, i cili u tërhoq disi nga gjuha fyese, tallëse dhe seksiste që kishte përdorur gjatë kësaj jave ndaj protestuesve dhe nga ana tjetër, megjithëse në mënyrë të paqartë, ftoi protestuesit për të dialoguar.
Në fjalimin e tij, Kryeministri u mundua të përçajë qytetarët që kërkojnë dorëheqjen e tij dhe nisi tu japë atyre edhe këshilla.
Ikini hienave që ju janë mbledhur rrotull se ju jeni të parët që do mbyteni në jargët e asaj urrejtje, që unë e njoh mirë, në jargët e asaj hipokrizie dhe të asaj urie për pushtet që unë dhe ne socialistët e njohim nga shumë larg, të cilën e fshehin nën qeleshet që i vënë në kokë për herë të parë apo nën flamujt që lidhin në qafë.
Megjithatë edhe sot, Kryeministri Rama nuk hoqi dorë nga teoritë konspirative lidhur me ata që sipas tij qëndrojnë pas protestës, duke u shtuar agjentëve iranianë apo grekë edhe shqiptarët nga Kosova apo Maqedonia e Veriut.
Megjithëse në Vlorë e duan projektin dhe hallin për ditën më të madhe kanë se po u dëmtohet sezoni nga anullimet e rezervimeve për shkak të protestës, forca të ndryshme hedhin në bulevard gurët - deri dhe nga Kosova dhe nga Tetova - dhe fshehin dorën.
Duhet të jesh idiot që të mohosh përfshirjen aktive të një vendi armik, i vetmi vend armik që ka Republika e Shqipërisë.
Jo se kemi zgjedhur ne ta bëjmë armik, por se ka tentuar të na shkatërrojë të gjithë investimin që kemi bërë për infrastrukturën digjitale është Republika Khomeiniste e Iranit dhe duhet të jesh idiot që të thuash Irani nuk ka asnjë punë, kur vetë zëdhënësi i qeverisë iraniane shkruan shqip “Rama ik”, shqip!
Kryeministri Rama foli edhe për djaj të cilët, sipas tij, po hyjnë në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit.
Cili është “djalli” që po tenton të hyjë në mes nesh? Cili është “djalli” që po provon që t'iu lë fëmijëve tanë në kurriz diçka nga e cila ne duhet t'i mbrojmë? Cili është “djalli” që po shfrytëzon një investim për një zhvillim turistik për të shpërndarë një djallëzi të madhe? Sa e gënjeshtërt, aq edhe çuditërisht e thithur nga ata që duan të gjejnë rrugë për urrejtjen. Ç'lidhje ka Izraeli me investimin atje në Zvërnec? Ç'lidhje ka marrëdhënia me shtetin e Izraelit në një investim ku dy investitorët kryesorë janë dy myslimanë, dy vëllezër bashkëpronarë të njërës prej kompanive më të mëdha të Lindjes së Mesme
Rama deklaroi se nuk kishte ndërmend të tërhiqej nga projekti i Zvërnecit, për të cilin tha se do ta kthejë atë në xhevahir të Mesdheut.
© SYRI.net