Në intervistën e dhënë për edicionin e pasdites në SYRI TV, drejtori i komunikimit në Partinë Demokratike, Alfred Lela, dha një përshkrim të situatës në Theth pas ndërhyrjes së forcave të ushtrisë dhe aksioneve me mjete të rënda.
Nga një pamje përrallore që dukej nga lartësitë e Qafë Thorës, ku natyra shfaqet në formën e saj më të pastër, deri në një realitet të ashpër në lugina ku dominon prania ushtarake dhe kaosi pas shembjeve, Lela ngre pikëpyetje të forta mbi momentin, arsyet dhe pasojat e këtij aksioni shtetëror.
Ai u ndal tek ndikimi emocional dhe ekonomik mbi banorët lokalë dhe turistët, në zemër të sezonit turistik, duke e përshkruar situatën si një tension të heshtur që mbetet edhe pasi përleshjet kanë mbaruar.
Alfred Lela: Dukej si shtetrrethim me thënë të drejtën. Kur ngjitesh lart në Qafë Thore dhe sheh poshtë ku duken vetëm male dhe lugina, ishte Thethi i përjetshëm, pra i thellë, i bukur dhe i kthjellët. Por kur zbrisje poshtë pamja ndryshonte katërcipërisht. Kishte prani ushtarake, pra me aq sa pashë unë ishin dikur 12-13 mjete të rënda të ushtrisë, por edhe një fouristradë e Policisë Ushtarake. Çuditërisht unë nuk e kuptoja se çfarë bënte policia ushtarake në një zonë jo kufitare. Kufitare, por jo në kohën e Enver Hoxhës, kur Thethi ruhej si zonë kufitare. Kishte prani dhe mu duk mua e habitshme dhe vura re nxitimin, ngutin për të pastruar atë batërdinë e bërë qoftë nga shembjet me tritol e qoftë me fadroma.
Pra kishte një ngut për ta kthyer në normalitet, për ta pastruar dhe kjo mendoj unë e shpjegonte edhe praninë e ushtrisë në Theth. Ishin dy pamje, ishte pamja e natyrës, pra përgjithmonë e bukur dhe pastaj pamjet e shkatërrimit dhe prania e ushtrisë që shtonte nervozizmin shqetësimit të traumës që kanë kaluar banorët e Thethit por dhe në të njëjtën kohë edhe turistët që nuk kishin lidhje me të.
Tensioni ishte aty edhe pse përleshja kishte mbaruar me pak fjalë.
Unë kontaktova me disa banorë që ishin të prekur nga aksioni dhe dilema ishte: Pse ndodhi pikërisht kur sezoni ka filluar praktikisht. Ne e dimë që sezoni ose muaji e zemra e sezonit është 15 korrik-15 gusht.
Për banorët trauma duhet të jetë e dyfishtë. Investimi i shkuar dëm, nëpërkëmbja nga shteti i tyre dhe trauma psikologjike, në kuptimin se çfarë do të bëjmë nesër.
© SYRI.net