Berisha akuzon Ramën për krim shtetëror në Theth: "Asnjë ndërtesë nuk ishte në zonën e mbrojtur"
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama për kryerje të një krimi shtetëror në Theth, duke deklaruar se asnjë nga ndërtesat e shembura nuk ndodhej në zonën e mbrojtur, por në atë urbane. Gjatë një konference për mediat, Berisha denoncoi atë që e quajti hakmarrje të kryeministrit ndaj banorëve të zonës, për shkak të mbështetjes së munguar për Partinë Socialiste në zgjedhjet e fundit.
Ai e cilësoi “Paketën e Maleve” si një përpjekje të Edi Ramës për të nxitur gjakderdhje dhe tensione sociale në zonat malore.
Nga selia blu, lideri i opozitës akuzoi Ramën për shkatërrim të qëllimshëm të ndërtesave në Theth, duke pretenduar se banorët janë mashtruar dhe se ndërtesat ishin ndërtuar mbi tokë private, jashtë zonës së mbrojtur.
Berisha deklaroi se kryeministri është hakmarrë ndaj banorëve të Thethit pasi ata nuk e kanë votuar Partinë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit.
Në përfundim, ai u bëri thirrje qytetarëve që të ngrihen në protesta, për të mos lejuar siç u shpreh "rrënimin e vendit nga qeveria socialiste".
© SYRI.net