I ftuar në intervistën e ditës në Syri TV, eksperti i ekonomisë Violdi Danaj deklaroi se bujqësia shqiptare është në agoni prej vitesh, veçanërisht që prej momentit kur u hoq rimbursimi i TVSH-së, një vendim që ai e cilësoi si një strategji të pamenduar mirë.
“Sigurisht që duhej riparë sepse linte hapësira për abuzime, por u bë në mënyrë shumë brutale dhe shumë të ashpër, e cila solli pasoja shumë të rënda për ekonominë”, u shpreh Danaj.
Ai theksoi se produktet shqiptare nisën të humbnin konkurrencën në tregjet ndërkombëtare, edhe pse Shqipëria vijon të jetë e interesuar për eksport, sidomos në tregun evropian. Sipas tij, bujqësia ka vuajtur jo vetëm për mungesë mbështetjeje financiare, por edhe për mungesë vëmendjeje institucionale.
“Shumë zëra edhe brenda qeverisë dhe institucioneve shtetërore e kanë parë bujqësinë si të panevojshme, duke e lënë jashtë fokusit, me idenë se vendi duhet të përqendrohej te teknologjia dhe informacioni. Por, edhe pse teknologjia është e rëndësishme, bujqësia mbetet ende një sektor problematik që nuk mund të injorohet”, tha ai.
Një tjetër problem që ai vuri në dukje është mungesa e njerëzve që e shohin bujqësinë si një sektor me potencial. “Pjesa më e madhe e personave janë të zhgënjyer sepse nuk kanë pasur mbështetje dhe e shohin bujqësinë si diçka të panevojshme”, shtoi Danaj.
Në përfundim, eksperti kritikoi politikat e njëpasnjëshme që, sipas tij, nuk janë të fokusuara dhe as të mirëstudjuara. “Nuk mundemi të kërkojmë ZH-në, kur ne nuk kemi filluar me A-në”, përfundoi ai.
Danaj:
Bujqësia ka vite që është në agoni, që kur u hoq rimbursimi i TVSH-së, dhe ajo ishte një strategji jo më mirë menduar.
Sigurisht që duhej riparë sepse linte hapësira për abuzime, por u bë në mënyrë shumë brutale dhe shumë të ashpër, e cila solli pasoja shumë të rënda për ekonominë.
Filluan produktet shqiptare të mos ishin më konkuruese në tregjet ndërkombëtare, pavarësisht se Shqipëria vazhdon ende të mbetet me shumë interes nga klientë kryesisht edhe evropianë, ama bujqësia shqiptare ka vuajtur për mungesën edhe të vëmendjes.
Nuk ka pasur një strategji të mirëfilltë dhe një politikë e cila ta mbështeste dhe ta zgjeronte.
Shumë zëra edhe brenda qeverisë dhe brenda institucioneve shtetërore e shikonin bujqësinë si jo të nevojshme, sikur Shqipëria tashmë nuk duhet të fokusohej te bujqësia por duhet të fokusohej më shumë te teknologjia dhe informacioni, që sigurisht që teknologjia dhe informacioni duhen zhvilluar, por ama dua, pa dashtë apo s’duam ne, bujqësia edhe në këtë situatë që është, ngelet akoma problematike.
Problemi tjetër është që ne nuk kemi njerëz që ta shikojnë bujqësinë me interes.
Pjesa më e madhe e personave janë të zhgënjyer nga bujqësia sepse nuk kanë pasur mbështetje dhe e kanë parë bujqësinë si diçka të panevojshme.
Politikat e njëpasnjëshme që po ndryshohen, nuk janë të fokusuara dhe nuk janë të mirëstudionuara, nuk mundemi të kërkojmë ZH-n, kur ne nuk kemi filluar me A-n.
© SYRI.net