Stefano Boeri, arkitekti Italian që njihet si miku i Edi Ramës, me të cilin shpalosi mes të tjerave projektin e “Tirana 2030”, ndodhet përballë telasheve të reja. Për herë të tretë, ndaj tij nis hetim për korrupsion, falsifikim, abuzim dhe manipulim me tenderat. Autoritetet italiane arrestuan 6 zyrtarë e biznesmenë si dhe bastisën Bashkinë e Milanos. Firma e Stefano Boerit, ndodhet në shumë projekte arkitekturore në Shqipëri, të denoncuara për favorizime në shkelje të procedurave, por që kishin bekimin e Edi Ramës dhe Erion Veliajt.
Syri TV
Një tjetër skandal del në dritë për arkitektin Italian Stefano Boeri, që njihet për lidhjen e ngushtë me kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe me të cilin mes të tjerave shpalosën edhe projektin e “Tirana 2030”. Çështja ka të bëjë me fushën e urbanistikës në Milano në një hetim që përfshin emra të njohur të botës së pasurive të paluajtshme dhe politikës lokale. Guadia di Finanza e Milanos me urdhër të Prokurorisë së të njëjtit qytet ka ekzekutuar sot 6 masa sigurie ndaj zyrtarëve lokalë e biznesmenëve ndaj të cilëve janë ngritur akuzat për korrupsion e falsifikim në Itali. Autoritetet bastisë Bashkinë e kryeqytetit Italian duke kryer 24 kontrolle. Stefano Boeri është akuzuar për manipulim të tenderëve dhe deklarata të rreme lidhur me projektin Beic, si dhe për shkelje të ligjit të ndërtimit në rastin Bosconavigli. Pozicioni i tij në këtë hetim të ri ngre pyetje serioze mbi lidhjen mes arkitektëve të mëdhenj dhe mekanizmave të errët të urbanistikës së Milanos. Në muajt e fundit, hetimi ka çuar në sekuestrimin paraprak të disa kantiereve të ndërtimit. Stefano Boeri, është i përfshirë për herë të tretë në dy vitet e fundit në procedime gjyqësore lidhur me urbanistikën dhe abuzimet në ndërtim por pa masë ndalimi. Lidhjet e këtij arkitekti me qeverinë shqiptare e veçanërisht me Edi Ramën, janë ekspozuar vazhdimisht në opinionin publik dhe media. Rasti i Boerit hap një kapitull të ri jo vetëm për drejtësinë e vendit fqinj, por edhe për drejtësinë shqiptare ku firma e arkitektit ndodhet në një mori projektesh madhore urbanistike kryesisht në Tiranë të cilat kanë gjetur kritika. Në 2022 në zemër të kryeqytetit shqiptar hap zyrën e tij si degë e studios në Milano dhe shërben si bazë për të ofruar shërbime në projekte publike dhe private. Stefano Boeri është kontraktuar në projekte të rëndësishme në Tiranë, publike dhe private mes të cilave planin rregullues, Tirana 2030. Ka dizajnuar projektin Tirana Riverside, që zhvillon zonën e rindërtimit në lagjen 5 Maji me atë të Bulevardit të Ri, është kontraktuar nga Fondi i Zhvillimit Shqiptaro-Amerikan për Parkun Arkeologjik të Durrësit, si dhe ka projektuar ndërtimin e 3 shkollave në Tiranë, pjesë e projekteve Partneritet Publik-Privat. Të ardhurat për vitin 2022 të studios së tij kapën vlerën 5.7 milionë euro, ku 40% e tyre janë gjeneruar në vende të Europës, që nuk janë pjesë e Bashkimit Europian. Stefano Boeri bashkëpunoi edhe me pushtetin lokal në Shqipëri, sidomos me Bashkinë e Tiranës të drejtuar nga Erion Veliaj. Ai do të ekspozohej në vendin tonë përmes projekteve të rindërtimit, ku në disa prej tyre, me negocim të drejtpërdrejtë dhe pa garë duke u justifikuar me emergjencën e tërmetit të vitit 2029 dhe një prej tyre është për projektin Tirana Riverside e prillit të 2020. Studio Boeri është fitues i një tenderi nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor për dizajnimin e godinës qendrore në Bulevardin Gjergj Fishta. Emrin e tij e mbajnë disa nga ndërtesat e reja, që janë ndërtuar në zonat kryesore të Tiranës, Blloku Cube, Blloku West Residence dhe Pylli Vertikal me leje të dhëna nga Kryeministri Edi Rama si kreu i KKT-së.
© SYRI.net