Rama sulmon Greqinë nga Milano: Njollë turpi në historinë e Europës demokratike…

Rama sulmon Greqinë nga Milano: Njollë turpi në historinë e Europës demokratike…

14:05, 26/05/2024
A+ Aa A-

Kryeministri Edi Rama ka sulmuar Greqinë nga tubimi me emigrantët shqiptarë që ka zhvilluar kësaj radhe në Milano të Italisë, duke e konsideruar atë detyrim që iu bë shqiptarëve në Greqi për ndryshimin e emrave si kusht për të marrë dokumentet, një njollë turpi. Në fjalimin që ai mbajti pa u kursyer ndaj Greqisë dhe duke e justifikuar Italinë që e priti sot, ndër të tjera tha:

"Ishte koha e mbytjes së “Katerit të Radës”, anijes që u bë simbol i luftës së shqiptarëve për t’u kthyer në gjirin e Europës, pas një shkuljeje me dhunë prej saj dhe një errësire të pafundme, jashtë librit të historisë evropiane të pas Luftës II Botërore, - tha Rama. - Por Italia e kohës fatmirësisht nuk ishte Greqia e asaj kohe. Jo vetëm populli italian, njesoj si populli grek ua hapi derën bujarisht shqiptarëve, duke i ndihmuar të ngriheshin mbi këmbët e tyre, por edhe qeveritë italiane, megjithëse tejet të trembura nga fenomeni i saposhfaqur i emigrimit masiv  drejt brigjeve të Italisë, u sollën me Shqipërinë si askush tjetër.

Ju thashë që mora shumë mesazhe nga shqiptarët e Italisë pas asaj “valles kuqezi” në zemër të Greqisë. Më bëri përshtypje në më shumë se një rast që dërguesit nga Italia më thoshin që kur të vija në Milano nuk duhej të harroja që edhe ju keni vuajtur.

Gati-gati dukej sikur ndjeheshin të përjashtuar nga një garë dhimbjesh historike, pothuajse xhelozë për faktin se vuajtjet e tmerrshme të shqiptarëve të Greqisë e bëjnë më heroike nga tëra të tjerat, historinë e stërmundimshme të afrimit të shqiptarëve me Europës dhe të afirmimit të tyre si qytetarë europianë...

Ju shqiptarët e Italisë nuk i ndërruat emrat forcërisht dhe gjerësisht siç u ndodhi tragjikisht qindra e mijërave vëllezërve e motrave tona në Greqi, për një arsye të vetme dhe të lemerisshme, që e dimë shumë mirë që të gjithë dhe që do të mbetet një njollë turpi në historinë e Europës demokratike, - nënvizoi Rama, - por ama nuk ishin të pakta rastet kur ju e morët përsipër vullnetarisht këtë ndryshim të identitetit, që ajo “zilja” përndjekëse “e stato un albanese” të mos i hapte ndonjë dreq punë një Haxhiu, që e pagëzoi veten Xhixhi apo një Drite që u “rilind” si Luçia! “

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco