Inteligjenca Artificiale dhe hajdutëritë e Kryeministrit

Inteligjenca Artificiale dhe hajdutëritë e Kryeministrit

Nga Erion Dasho - 17/06/2024

Nuk është hera e parë që Borati dhe boratët flasin për inteligjencën artificiale (AI). Sipas elifimatrakëve të rilindjes, AI ishte zgjidhja magjike që do harmonizonte legjislacionin shqiptar me atë të Bashkimit Evropian.

Ndërkohë dje paska nisur një procedurë negocijimi me Boston Consulting Group (një nga kompanitë më të rëndësishme ndërkombëtare të këshillimit) për të hartuar rekomandimet që do të mundësojnë përdorimin e AI në luftën kundër korrupsionit!!!

* * *

Lufta kundër korrupsionit është një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet pothuajse çdo shoqëri. Ndër aplikimet e mundshme të AI, sigurisht ka të tilla që mund të ndihmojnë edhe në luftën kundër korrupsionit, për shembull:

analiza e të dhënave (sidomos e "big data");
monitorimi i transaksioneve financiare;
automatizimi i procedurave administrative;
parashikimi i sjelljeve korruptive bazuar mbi të dhënat historike;
forcimi i procedurave të auditimit duke analizuar në mënyrë të paanshme dokumentet dhe proceset;
identifikimi i konfliktit të interesit;
mbështetja e hetimeve për rastet korruptive; etj.

Kjo listë mund të vazhdojë gjatë dhe të gjithë zbatimet e mundshme të AI do ta bënin realisht Shqipërinë një vend më të drejtë dhe të ndershëm. Sidoqoftë ka dy pengesa madhore që duhen tejkaluar para se AI të mund të zbatohet për të luftuar korrupsionin në Shqipëri. Le të nisim nga pengesa e parë, ajo teknologjike.

* * *
Përpara se AI të nisë të zbatohet në Shqipëri, duhet të plotësohen disa parakushte teknike dhe infrastrukturore, ku një transformim digjital është i domosdoshëm si hap pararendës për të mbështetur përdorimin e AI.

Së pari, kjo përfshin digjitalizimin e të gjithë të dhënave. Sa më shumë nga të dhënat e rëndësishme të shtetit duhet të jenë në format digjital, me cilësi të garantuar, me besueshmëri të lartë dhe të ruajtura në baza të dhënash të sigurta.

Së dyti, duhet të investohet në një infrastrukturë të fuqishme dhe moderne të teknologjisë së informacionit, duke përfshirë serverë të fuqishëm, rrjete të shpejtë dhe të sigurtë, si dhe kapacitete të mëdha ruajtjeje. AKSHI me serverat e vet në bodrumet e INSTAT-it ofron kapacitete qesharake në këtë drejtim.

Së treti, siguria e të dhënave dhe sistemeve është kritike për suksesin e AI. Duhet të implementohen masa të forta sigurie për të mbrojtur sistemet dhe të dhënat nga sulmet kibernetike. Nuk mund të zbatohen aplikacione të AI në një vend ku hakera amatorë hyjnë e dalin sipas dëshirës në të dhënat më sensitive të shtetit.

Së katërti, duhen ligje dhe rregullore shumë të forta për ruajtjen e privatësisë së të dhënave. Në Shqipëri gjithë të dhënat e shtetit kanë dalë prej vitesh në shitje në dark web, kurse patronazhistët kanë në celular gjithë databazën e eAlbania.

Së fundi, që të zbatosh programe të AI në shkallë të gjerë, në nivel kombëtar, nevojiten burime njerëzore. Duhet filluar nga rekrutimi i inxhinierëve, programuesve dhe shkencëtarëve të të dhënave. Për të kaluar tek sensibilizimi dhe trajnimi i stafit të gjithë administratës publike.

Kur e sheh listën e parakushteve, problemet duken tepër të vështira, por gjithsesi jo të pakalueshme. Kuptohet se një listë kaq e gjatë parakushtesh kërkon vite të tërë për t'u plotësuar, investime gjigande dhe nuk zgjidhet me një të rënë të lapsit.

* * *
Por problemi më i madh, ai i pakapërcyeshëm, nuk lidhet me teknologjinë.

Nën qeverisjen e Boratit dhe të Rilindjes korrupsioni nuk është parë si sfidë, por si përafrim qeverisës. Duke u korruptuar gjithë nivelet e piramidës qeverisëse nga Borati deri tek nëpunësi më i thjeshtë (ku vetë ish-zëvendësi i Boratit, Tigri, ndodhet prej gati një viti në arrati si i kërkuar për hajdutëri) janë grabitur miliarda euro taksa të shqiptarëve, janë siguruar paret e vjedhjes së votave, paret e blerjes së medias, paret e ngritjes së sistemit gëbelsian të propagandës, si dhe paret e kapjes së shtetit në çdo segment.

Prandaj, Borat mos vazhdo t'i hedhësh hi syve të shqiptarëve me përralla me robotë dhe inteligjencë artificiale!

Teknologjia nuk mund ta kthejë shtetin tënd të korruptuar deri në palcë në parajsë ndershmërie!

E vetmja e mirë që mund t'i ofrosh ti sot shqiptarëve është dorëheqja dhe hapja e rrugës për një qeveri teknike që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Për të sjellë në pushtet një klasë politike që avantazhet e teknologjisë do t'i shfrytëzojë në dobi të shqiptarëve dhe jo për hajdutëri, kusari dhe makutëri.

Një klasë politike kaq të ndryshme nga ti, Borat...

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco