Një ekspozitë si gjethe e pamundur fiku

Një ekspozitë si gjethe e pamundur fiku

Nga Grigels Muçollari - 17/06/2024

Mbreti ka dalë lakuriq. Të gjithë shohin se lidhjet qeveritare me krimin dhe korrupsionin janë ekspozuar në përmasat alarmante dhe nuk mbulohen dot më.

Për 3 mandate, Edi Rama ka luajtur në një skenë që nuk i ka dalë keq. Duke e shitur veten si artist kontrovers, është munduar t’i mbushë mendjen një lloj audience në Europë se një i këtillë s’mund të kishte kulturalisht lidhje me bandat, apo me afera qindra milionë euroshe.

Se gjasme, një krijesë e estetikës qe në një botë tjetër, larg malavitës e të keqes në përgjithësi.

Ngjante se më së pari, Rama ishte artist, dhe i kishte rënë për hise edhe të qeveriste.

Në të vërtetë, është krejt e kundërta.

Edi Rama e ka ushtruar detyrën e Kryeministrit aq ethshëm 24 në 24 e çdo ditë të 11 viteve, sa pushteti i tij është shtrirë në gjithë hapësirat e territorin e vendit.

Një etje për pushtet që e gjen tek modelet e sundimtarëve të lindjes, dhe aspak tek një artist oksidental, siç ka tentuar ta paketojë veten.

Kur lëkurët nisën të bien një e nga një së fundmi, prej disa nga mediat më serioze e më të mëdha të kontinentit, shefi i rilindjes tentoi sërish të na sjellë me bujë pjesmarrjen në një ekspozitë në Paris.

Vetëm se kësaj radhe aroma franceze qe e lodhur, anemike, nuk zuri vend.

Faktet e anës tjetër janë të forta.

Nga Franca ka ardhur portreti për Ramën me përgjimet që kanë sjellë autoritete policore të atij vendi, ato të encro-chat, ku del se disa prej njerëzve më të besuar të kryeministrit janë përfshirë në krime shumë të rënda.

Në italisht, u pa një profil tjetër i piktorit avantgardë. U panë tiparet e një Kryeministri që pret në zyrë një përfaqësues të Sinaloas dhe i jep një licensë kazinoje.

Në Gjermanisht nuk mbërriti shija për të cilën ka investuar, por brutalisht një e vërtetë tjetër, ajo e narkoshtetit në mes të Europës. Së fundmi, edhe në rumanisht, është përmbysur modeli i piktorit kryeministër, me lidhjet e errëta me një gjeneral atje, përfshirë në trafikun e drogës së karteleve meksikane.

Në këto kushte, telajot dhe ngjyrat nuk vlejnë më as për nevojën e ditës, dhe me siguri nuk do ta ndihmojnë as bilancin, as trashëgiminë që Edi Rama do të lërë pas. Atelieja e tij ka futur ujë.

Ditën që sdo të ketë më asnjë pushtet, dhe kjo ditë s’do të jetë e largët, edhe më shumë do të zbulohet qeverisja e tij e keqe, edhe më shumë të vërteta do të dalin në shesh për lidhjet me krimin e me korrupsionin.

Shumë do të flasin, e pak vetë do të jenë aty për ta mbrojtur.
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco